Në ditën që në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore doli “tym i bardhë”, ku palët dakordësuan për tri çështje, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha në një intervistë se garancia që opozita e kërkon pa kompromis, është qeveria tranzitore.
“Unë nuk gjykoj se do ketë kompromis për këtë kërkesë. Nuk do ketë konsensus për këtë pjesë. Kjo është e vetmja garanci që opozita ka. Në fund të fundit, ne kemi dorëzuar mandatet për këtë kauzë, kemi organizuar disa protesta për këtë kauzë. Ne do të thellonim më tepër krizën politike në vend nëse maxhoranca do të gjykonte dhe do të vendoste që të organizonte zgjedhje,”- u shpreh Ndoka.
Ndërkohë, ai shtoi se koha e mbetur nuk mjafton për të ndryshuar sistemin zgjedhor, nëse kërkohet një produkt që nuk do të preket sërish më vonë.
“Unë e mbështes propozimin e ambasadës së SHBA për sistemin danez. Unë kam protestuar për këtë sistem që kemi, pavarësisht se në kohën kur ky sistem u vendos në Shqipëri, Amerika e mbështeti. Për të bërë gjëra të mira gjendet gjithmonë koha, por nëse do të donim të bënim një gjë shumë, shumë të mirë, që të mos e preknim më, nuk mjafton koha. Nëse ndryshon sistemi, këtë duhet ta marrë në drejtim SHBA, sepse ne kemi politikanë që bëjnë pazare”, tha Ndoka. /Burimi: PanoramA/