Raporto TI

Qeveria sot duhej të ishte e gjitha në Shkodër, edhe “për inat” të Voltanës…

Shënim i ShkodraWeb

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi ishte në Shkodër për 7-8 marsin. “Një rrugë e disa punë” dhe u takua me disa persona në zonat e përmbytura të Bashkisë së Shkodrës. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, nga valët “fejsbukore” të ERTV publikoi dy foto duke thënë se fajin për përmbytjet në Shkodër, e kanë kanalet kulluese të papastruara nga Bashkia. Ditmir Bushati, deputet i Shkodrës dhe Ministër i Jashtëm dhe i Europës publikoi 2 foto në Facebook, duke kërkura në kulmin e përmbytjeve edhe ne Velipojë, pastrimin e shëtitores atje nga mbeturinat që kishin mbetur në breg pak orë pasi batica e detit ishte zëvendësuar nga zbatica.

Deri tani, ky është kontributi i qeverisë shqiptare dhe deputetëve të mazhorancës në Shkodër për situatën e përmbytjeve. Në fakt duhet të shqetësohemi të gjithë. Jo se qeveria apo ministrat e saj nuk kane denjuar të jenë në Shkodër. As edhe nga fakti që po përsërit “persekutimin” ndaj Shkodrës, ndërsa në përmbytjet në Jug para disa koheve, edhe vetë kryeministri Rama ishte i pranishëm disa ditë me rradhë në zonë. Duhet ë shqetësohemi që, mjeshtra të padiskutueshëm të imazhit, reklamës nuk po përpiqen ta shfrytëzojnë politikisht situatën e krijuar. Nëse deri tani janë sjellë ushqime për blegtorinë, disa krevate apo çadra, askush nuk është “lodhur” ti shoqërojë. Të paktën, për të dal në media, dhënë disa intervista, sulmuar kryebashkiaken Ademi dhe për tu kthyer sërish në Tiranë.

Nuk me rezulton se Ministrja e Mbrojtjes, ai i Mjedisit, i Bujqësisë kanë diçka më të vlefshme për të bërë në territorin e vendit se të vizitojnë një herë, një herë të vetme zonat e përmbytura të Shkodrës. Në gjithë këtë nëpërkembje, nuk është e vështirë të kuptohet se ka një orientim nga lart që të ndiqet kjo sjellje ndaj përmbytjeve në Shkodër. Sepse përveç ministrave, në zonat e përmbytura nuk po shihen as deputetët e mazhornacës nga Shkodra. Nuk është e vështirë të kuptohet se qeveria “po fërkon duart” në prapaskenë për situatën në Bashkinë e Shkodrës. Larg o Zot të mendohet se po luten të ndodhë përsëritja e 2010- 2011. Nuk mendoj se jemi të zhytur deri në atë perversitet, jo. Por për “të ndëshkuar” Voltana Ademin do të ishin gati të përmbytnin edhe pjesën tjetër të fushës dhe të bllokonin nga bora të gjithë pjesën malore.

Faktikisht, nuk e kuptojmë se pse Rama- një krijesë e mirëfilltë mediatike por edhe ministra e deputetë nuk e shfrytëzojnë hapësirën mediatike të krijuar nga përmbytjet në Shkodër. Qoftë edhe “për inat” të Voltanës, do të duhej që e gjithë qeveria të ishte në Shkodër. Edhe pse e kemi një “hipotezë” se çfarë i pengon të ngjiten në rrafshin e Veriut. Do tu duhet të përballen me qytetarët…