Përmes një komunikimi për mediat Manastirliu tha se do të alokohen 45 miliardë dollarë nga buxheti për mbrojtjen e shtresave në nevojë. Ministrja e Shëndetësisë tha se në vitin 2022 do të rriten me 6 për qind pagat për “bluzat e bardha”, mjekë e infermierë.
“Kemi disa vendime të rëndësishme për të komunikuar. Sot qeveria mori vendimin për miratimin e projektbuxhetit për vitin 2022. Kërkojmë të komunikojmë vendimet e rëndësishme. Program i ndihmës ekonomike si një mburojë sociale do ketë rritje të masës së ndihmës ekonomike në masën 10 për qind. Do ketë rritje të ndihmës ekonomike për familjet me fëmijë mbi 18 vjec.
Do të vijojmë të mbështesim fëmijët jetime duke ia dyfishuar masën e mbrojtjes së këtij programi. Edhe për gratë e trafikuara do ketë rritje me tre herë. 45 milionë dollarë do alokohen në buxhetin e shtetit për mbrojtjen e shtresave në nevojë. Do ketë rritje të buxhetit për pagat e personelit mjekësor, mjekë infermierë. Do vijojmë në vitin 2022 me rritjen e pagave në vitin 2022 me 6 për qind të rritjes së pagës”, tha Manastirliu.
Gjithashtu ministrja e Arsimit Evis Kushi, bëri me dije se krahas pagës së mësuesve do të rritet dhe paga e punonjësve psiko-sociale në shkolla, pasi në këtë mënyrë bëhet dhe vlerësimi i kontributit të tyre të dhënë gjatë periudhës së pandemisë.
“Dua të ndaj me ju disa nga këto lajme, pasi në ditët në vijim do të komunikojmë me detaje të gjitha vendimet e marra.
Së pari dua të ndaj lajmin për rritjen e pagave të mësuesve me 6% duke filluar nga viti i ardhshëm.
Për herë të parë në këto vitet e fundit pagat nuk po rriten vetëm për mësuesit, por edhe për punonjësit psikosocial. Ata kanë patur një kontribut të vyer gjatë muajve të pandemisë dhe në këtë mënyrë ne shpërblejmë punën e tyre.
Lajme të mira vijnë edhe për Arsimin e Lartë, ku një nga prioritetet tona është ndërkombëtarëzimi i diplomave tona, në mënyrë që të rinjtë tanë të bëhen të konkurueshëm në tregun europian.
Këtë herë ne do të kemi një buxhet të dedikuar për Universitetet për të avancuar në këtë fushë”, tha Kushi.
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi komunikoi dy vendime të qeverisë lidhur me Policinë e Shtetit.
Vendimi i parë ka të bëjë me rritjen e pagave për punonjësit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit, në formë bonusi, dhe vendimi i dytë është rritja e investimeve në infrastrukturë dixhitale dhe teknologji.
“Kam dy lajme shumë të rëndësishme për Policinë e Shtetit. E para ka të bëjë me rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Të atyre punonjësve që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë vendbanimit, rritje që do vijë në formë bonusi, dhe që do ti çojë deri në 150 për qind pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit. Lajmi i dytë shumë i rëndësishëm me këtë buxhet është rritja e konsiderueshme e investimeve që do bëjmë në infrastrukturën dixhitale dhe në teknologji. Kjo do rrisë efikasitetin e luftës kundër krimit dhe zbatimit të ligjshmërisë. Një nga prioritetet ka qenë zhvillimi i teknologjisë dhe investimet në infrastrukturën dixhitale”, tha Çuçi.
Po ashtu, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përmes një prononcimi për media nga shkallët e Kryeministrisë, bëri me dije vendimet e qeverisë të marra gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, për sa i përket dikasterit që ai drejton.
Manja njoftoi se projekt-buxheti i vitit të ardhshëm, parashikon një rritje të pagës së Policisë së Burgjeve, të cilët tashmë do të jenë në gradë dhe në funksion të njëjtë me homologët e tyre në Policinë e Shtetit.
Ministri i Drejtësisë theksoi gjithashtu se qeveria vendosi një fond të posaçëm në dizpozicion të Drejtorisë Anti-Korrupsion që u krijua në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që punonjësit të kenë paga të mirëpaguara, që të mosinfluencohen në punën e tyre.
“Ka dy lajme të mira për Ministrinë e Drejtësisë. Lajmi i parë ka të bërë me rritjen e pagave të Policisë së Burgjeve të cilët do të jenë në gradë dhe në funksion me Policinë e Shtetit. Është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare. Lajmi i dytë i mirë ka të bëjë me luftën kundër Korrupsionit.
Ne para dy ditësh miratuam krijimin e Drejtorisë së Përgjithsme Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa sot në këtë buxhet, për të ruajtur integritetin e kësaj strukture, njësia përgjegjëse do të ketë një buxhet të posaçëm për të mos u tunduar nga korrupsioni.
Ndërsa kordinatorët e rrjetit anti-korrupsion do të jenë të mirë paguar dhe në nivel strukture do të jenë të barabartë me zëvendës drejtuesin, ku do të ushtrojnë feunksionin”, tha Manja.