Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e pyetur për një qeveri tranzitore, thotë se vendit i duhet një qeveri që të garantojë zgjedhje të lira dhe jo një qeveri pozitë-opozitë.
“Ne nuk duam që Rama të vijë e të bëjë qeveri me opozitën, por të jetë një qeveri që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi dëgjuar shpesh, edhe ambasadorë, që thonë se shitblerja e votës ndodh edhe në Amerikë apo kudo tjetër. Ne nuk duam qeveri si ajo e majit të 2017, kur ministrat ishin nga opozita, por askush nuk kishte asgjë në dorë për të vepruar. Qeveria tranzitore që duam ne është ajo që krijon kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si? Eja të ulemi e ta diskutojmë. Qeveri tranzitore do të thotë një Ministri e Brendshme që nuk fut hundët në zgjedhje”, tha Monika Kryemadhi, ndërsa më tej pati një “shpërthim” debati mbi raportin e OSBE-ODIHR-it për shitblerjen e votave.
Nëse kryetarja e LSI-së tregonte paragrafet ku vëzhguesit sillnin raste të ndihmave me ushqime përkundrejt votës nga ana e partisë në pushtet, Carlo Bollino mori raportin dhe nisi të lexonte pjesët ku vëzhguesit denonconin tentativat e njerëzve të LSI-së për të blerë vota përmes shumave të majme të parave, të ndaluar nga policia.
E pyetur, se cili është fundi i këtyre protestave dhe çfarë zgjidhjeje mund të arrihet përmes tyre, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi risolli në vëmendje përgjimet e zbardhura nga “Zëri i Amerikës” dhe mosveprimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
“Shqiptarëve iu është bërë bukë e djathë ai numri i dosjes së famshme të denoncuar nga media prestigjioze amerikane, e cila tregoi me zë sesi disa trafikantë janë përgjuar teksa kanë ofruar shërbime në favor të socialistëve përmes ndikimit për vota”, tha Kryemadhi.
“E çuditshmja këtu është fakti që për dosjen 339 nuk ka ende hetime nga prokuroria, nuk dihet përse nuk veprohet edhe sot e kësaj dite për këtë shitblerje votash”, deklaroi më tej kryetarja e LSI-së.
Sipas saj, gjëja e parë që mund të bënte Rama sapo dolën ato përgjime nga një medie e huaj prestigjioze ishte shkarkimi i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
“Ekuacioni nuk është me shumë të panjohura, por me një të panjohur të vetëm Edi Ramën. Ai nuk përfaqëson Edi Ramën, por një grup kriminal, që ne nuk e dimë se deri ku shtrihet, deri në Amerikën Latine, Italinë e Jugut, Azi, apo në Amerikë”, tha Kryemadhi.