“Qarqet e veriut të vendit janë më të varfrat në vend”, deputetja Emilia Koliqi publikon shifrat zyrtare të varfërisë

Qarqet e veriut të vendit janë më të varfrat në vend. Sipas të dhënava të publikuara nga ISTAT, niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri, është 593 mijë Lekë për frymë.

Në rajonin Veri, PBB për frymë është 481 mijë Lekë, me 18,78 % nën mesataren e vendit. Në rajonin Qendër, PBB për frymë është 712 mijë Lekë, me 20,10 % mbi mesataren e vendit. Në rajonin Jug, PBB për frymë është 536 mijë Lekë, me 9,61 % nën mesataren e vendit.


Në rajonin e Veriut, qarku i Kukësit është ai me nivelin më të ulët me 360 mijë Lekë, duke vijuar me Shkodrën e Lezhën me 427 mijë Lekë, dhe Dibrën me 434 mijë Lekë. Këto qarqe përjetuan ngadalësim ekonomik.

Një nga arsyet kryesore të kësaj varfërie, është shpërndarja e pabarabartë e investimeve publike në territor dhe mungesa e investimeve të huaja. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve si instrument zhvillimor për të pasur rajone me zhvillim të balancuar, konkurruese dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e mjedisor, nuk respekton shpërndarjen e barabartë të fondeve.

Veriu është lënë pas dore për arsye politike, dhe ky është një nga faktorët kryesor përse nuk ka investime të rëndësishme, që të ulin nivelin e varfërisë të rajonit. Qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, janë ato që kanë përfituar më pak nga shpërndarja e investimeve.

Pavarësisht se nuk përfshihet në llogaritje, de facto rajoni i Veriut, është kontribuesi kryesor në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, me pasuritë e tij natyrore ujore dhe minerare, por nuk përfiton asnjë fond dhe për më tepër, vuan edhe pasojat e përmbytjeve të shkaktuara nga shkarkimet e hidrocentraleve. /Publikuar në Facebook nga Emilia KOLIQI, deputete e PD Shkodër/