Komisioni Qendror Zgjedhor i jep mandatin e deputetit 3 kandidatëve të tjerë që vijnë nga lista e Partisë Demokratike. Burimet bëjnë me dije se KQZ i ka dhënë mandatin Zef Shtjefnit dhe Nikolin Stakës nga qarku Shkodër dhe Artur Roshit qarku Tiranë. Dy përfaqësuesit e PD-së në Shkodër, ishin të fundit në listën e depozituar në 2017-ën që do të thotë se vendet e demokratëve në Kuvend nuk mund të plotësohen më.
Kështu, nga 5 deputetë, PD do të ketë të plotësuara vetëm 2 vende teksa tre të tjerët do të ngelen bosh deri në fund të legjslaturës sepse nuk ka më emra në listë. Ndërkohë, në total qarku i Shkodrës do të përfaqësohet nga 8 deputetë nga 11 që duhet të jenë, nga të cilët katër të PS-së, një i PSD, një i LSI dhe vetëm dy nga lista e PD-së.
Kujtojmë që në Kuvend, pas dorëzimit të mandateve të opozitës dhe zëvendësimit me kandidatët e tjerë plotësues të listës pasuese numri i deputetëve shkon në 105.