Pyetja pikante që e nervozoi në konferencë, Thaçi i kërkon falje gazetarit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar falje gazetarit të Kohës Ditore, Fitim Gashit, pasi ai e pyeti se si do të reagonte nëse Presidenti serb Vuçiç do të përdorte të njëjtin argument për Kosovën e Veriut që Thaçi po përdorte për Luginën e Preshevës.

Thaci ne kete moment ishte përgjigjur se ai nuk flet në emër të Vuçiçit ashtu siç supozohet se po bënte gazetari.

Por me një postim ne Facebook, Thaçi ka sqaruar edhe njëherë qëndrimin e tij duke i kërkuar falje gazetarit dhe duke inkurajuar reporterët që të vazhdojnë të bëjnë pyetje në të gjitha temat e interesit kombëtar.

Postimi i Hashim Thaçit:

Faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces i ndjeshëm dhe historik për Kosovën. Do të jetë një proces i hapur për popullin e Kosovës që do të transmetohet përmes të gjithë gazetarëve dhe mediave. Për të rritur transparencën dhe për të shmangur keqkuptimet dhe keqinterpretimin, kam mbajtur këtë muaj konferenca të shpeshta për shtyp për të dhënë shpjegimet e nevojshme. Dua të falënderoj të gjithë mediat dhe gazetarët në Kosovë, që kanë ndjekur procesin e dialogut me profesionalizëm këtë javë të fundit.

Në takimet e mia me gazetarët, gjithmonë përpiqem të jem i hapur dhe të përgjigjem në çdo pyetje apo dilemë që kanë – lidhur me dilemën e qytetarëve të Kosovës. Gjatë konferencës së djeshme, pati një keqkuptim me gazetarin Koha Ditore, Fitim Gashi.

Unë i kërkoj falje Fitimit dhe të gjithë atyre që mund të jenë ndjerë të ofenduar gjatë konferencës për shtyp, por kjo ka qënë dhe nuk do të jetë kurrë synimi im. Në rrugën time në politikë për më shumë se dy dekada, unë kam respektuar gjithmonë punën e gazetarëve, si një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë. I inkurajoj të gjithë reporterët që të vazhdojnë të bëjnë pyetje dhe të adresojnë dilemat në të gjitha temat e interesit kombëtar./panorama/