“Pushtimi” i butë i Italisë nga shqiptarët

Nga Blerti DELIJA

Kanë kaluar vetëm 28 vjet nga koha kur shqiptarët e parë u shfaqën në Itali pas rënies së diktaturës komuniste. Nga refugjatë për “kafshatën e bukës”, sot janë kthyer në pika referimi për vetë italianët. Natyrisht, emigrimi “për kafshatën” e bukës nuk është ndaluar asnjëherë, por paralelisht rritet ndjeshëm pesha e shqiptarëve veçanarisht në art dhe në sport.

Shumë italianë sot e kësaj dite, lënë vendin e tyre për të emigruar drejt vendeve të tjera të BE apo edhe përtej oqeanit. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse jeta jo gjithmonë të ofron në vendin e origjinës atë çfarë kërkon. Edhe shqiptarët nuk mund të bëjnë përjashtim. Por ajo që bie në sy është shkëlqimi në kuptimin e plotë të fjalës, i bashkëkombasve tanë në vendin përtej adriatikut.

Hegjemoni është fjalë e madhe, por krahasuar me numrin e tyre në Itali, arti dhe sporti po japin imazhin e duhur për shqiptarët. Dhe në fakt, nuk mund të thuhet se është thjesht rastësi. Ermal Meta rrëmbeu Sanremon para disa orëve, manifestimi më i rëndësishëm i këngës në Itali. E rrembeu pa lënë asnjë dyshim, edhe pse në vigjilje e akuzuan për plagjiaturë. Vetëm pak vite me parë, ishte shkodrania jonë Elhaida Dani që tronditi Italinë duke marrë “The Voice of Italy” dhe duke mahnitur një emër jo të parëndësishëm të muzikës italiane si Cocciante.

E po të duam të vazhdojmë me tej, baleti është një krenari e shkollës shqiptare të artit. Ketu kemi shumë yje në qiellin e Italisë duke nisur nga Kledi, Anbeta, Leon, Klaudia etj. Natyrisht, nuk kanë shumë nevojë për mbiemra që të identifikohen sepse publiku italian i identifikon lehtë.

Natyrisht, sporti është pika tjetër e fortë ku shqiptarët tregua talentin e tyre në Itali. Bogdani si futbollist, Tare si futbollist dhe drejtues, Cana e aktualisht shkodrani Hysaj dhe Strakosha i ri, janë në vemendjen e tifozerisë italiane. Nga refugjatë- emigrantë për “kafshatën e bukës”, sot shqiptarët po kthehen në idhuj të të rinjve italianë por edhe më gjërë.

Tendenca e shkëlqimit shqiptar në Itali është në rritje. Ata që emigruan në fillim të viteve ’90 janë tanimë vetëm “maja e ajsbergut”. Brezi i dytë dhe i tretë i shqiptarëve në Itali, sapo kanë nisur të shkëlqejnë dhe shumë shpejt, do të shfaqen me gjithë forcën e tyre. Po ndodh ajo që mund të konsiderohet “pushtim” i butë i vendit fqinj nga bashkëkombasit tanë. Dhe ky është vetëm fillimi…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *