Ka shumë optimistë por siç është e natyrshme, edhe pesimistë lidhur me ecurinë e asaj që po konsiderohet “Vllaznia e re” me synimin “Rikthim tek suksesi”. Për herë të fundit kuqeblutë luajtën në Kupat e Europës në vitin 2011, periudhë pas së cilës, Vllaznia kaloi në pronësi e administrim 100% të Bashkisë së Shkodrës. Në këtë kuptim, çdo pesimist mund të ketë mirëkuptim, aq më shumë kur Vllaznia nuk ishte mësuar të rrinte kaq gjatë larg trofeve dhe Europës së futbollit.
Publikisht por edhe në tavolina të zjarrta diskutimi për Vllazninë, po thuhet se “thjesht po përsëritet ajo që nuk rezultoi e suksesshme në dy raste të tjera”. Permendin periudhën e “GeaSport” si dhe atë të administrimit nga “Xhenis shpk”. Në fakt, për momentin, nuk mund të hiqen paralele me rastin aktual ku është afruar një sponsor- partner si Alban Xhaferi.
Ky i fundit, para se të afrohej tek Vllaznia e futbollit, bëri “nxemjen” tek Vllaznia e basketbollit. Ata që kanë ndjekur ecurinë e deritanishme, flasin pozitivisht për impaktin që ka patur tek kuqeblutë e koshit.
Afrimi i Xhaferit tek Vllaznia e futbollit, erdhi si një vetëofrim i tij por edhe si dëshirë e mjaft sportdashësve e specialistëve të futbollit shkodran e shqiptar. Xhaferi, përmes një kontrate të nënshkruar me Bashkinë si pronare dhe me KF Vllaznia sh.a., ka ardhur me cilësinë e sponsor- partnerit. Bashkia vazhdon të jetë 100% pronare dhe administrimi ligjor vazhdon të jetë nga Suad Lici, administrator i KF Vllaznia sh.a. Që këtu, nis edhe ndryshimi me dy rastet e mësipërme, të cilat për hir të realitetit, jo vetëm nuk ishin të suksesshme për Vllazninë, por lanë edhe mjaft probleme pas, të cilat vazhdojnë.
Për pozicionin si biznesmen por edhe raportet me sportin e njerëzit e sportit, Xhaferi, duke qenë edhe administrues i mirë i PR-it, ka dalë në rradhë të parë tek “Vllaznia e re”. Cila është e keqja e kësaj qasje? Asnjë! Vetëm vëmendje ndaj Vllaznisë nga media të shkruara e audiovizive, artikulim gati i përditshëm i kuqebluve që konvertohet në premisë suksesi.
Djarmati dhe Brdariç janë dy afrimet e para teknike të Xhaferit, natyrisht në koordinim të plotë me strukturat e Klubit dhe Vllaznisë. Sepse çdo kontratë, duhet të firmoset nga administratori ligjor Suad Lici para se do ketë vlerë e të depozitohet në FSHF. A janë zgjedhjet më të mira të mundshme? Sidomos në Shkodër, çdo tifoz i Vllaznisë po të pyetet, ka një opinion se kush duhet të jetë trajneri, drejtori sportiv madje edhe pronari apo presidenti i kuqebluve. Por përgjegjësinë aktualisht, e ka Alban Xhaferi dhe personat e KF Vllaznia sh.a. që bashkëveprojnë me të. Pjesën më të madhe, kuptohet e ka sponsor- partneri. Flitet për të suksesshëm e të pasuksesshëm tek ky apo ai ekip. Ata që e ndjekin futbollin e dinë se performanca e të njëjtit trajner apo drejtor sportiv, në dy klube të ndryshme, nuk ka qenë gjithmonë e njëjtë. I njëjti teknik mund të ketë nxjerrë nga kategoria një ekip, ndërsa një skuadër tjetër mund ta ketë çuar tek trofetë. Dhe nuk po flasim vetëm për realitetin e futbollit shqiptar.
Diskutohet shumë edhe për ndikimin e klubit Rijeka për stafin teknik të Vllaznisë dhe mundësinë e binjakëzimit të kuqebluve me të. Natyrisht, Xhaferi nuk besojmë se i ndërmerr i vetëm strategjitë dhe vendimet. Po të ishte ndryshe, nuk do të ishte diçka pozitive. Bashkëpunimi me Rijekën, ndoshta edhe me klube të tjera ballkanike e evropiane, mendojmë se është vetëm vlerë e shtuar për Vllazninë.
Shpejt, Brdariç pritet të prezantohet si trajneri i ri i Vllaznisë. Bashkë me Djarmatin, duhet të kenë peshën kryesore në formimin e skuadrës së “Vllaznisë së re”. Pas tyre, duhen gjetur edhe ndihmësit e trajnerit, duhet të nisë puna tek Akademia e kështu me rradhë. Pra, Xhaferi, Lici dhe të tjerët, sapo kanë nisur nga puna. Si në çdo gjë, kanë nevojë për kohën e duhur në dispozicion dhe deri me 12 shtator 2020 (edhe pse aktualisht, ka një deklaratë bojkoti për startin e Superligës) do të duken rezultatet e para të “Rikthim tek suksesi” të Vllaznisë.
E fundit, por jo për nga rëndësia. Në një marrëveshje me Bashkinë dhe KF Vllaznia sh.a., (e cila është prej kohësh publike në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër), biznesmeni Xhaferi impenjohet për një kontribut të përkthyer në terma financiarë jo më pak se 150 milion lekë të vjetra në vit, me një tavan deri në 200 milion. Nuk është një kontribut i parëndësishëm për financat e Bashkisë por edhe të qytetarëve, të cilët nga 2011 paguajnë për kuqeblutë nga buxheti i tyre.
Për një zhvillim të orëve të fundit, atë të largimit të pritshëm të portierit Alen Sherri. Edhe nëse ndodh, përgjegjësia e “Vllaznisë së re” është minimale. Pakënaqsitë e gardianit të portës për mosaktivizimin e rregullt në një fazë të Supërligës së kaluar, lidhen me trajnerë e stafe teknike të tjera. Edhe orët e fundit, Vllaznia ka shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin me portierin. Por të që ketë marrëveshje, duhet dëshira e dy palëve. Sidomos, kur kontrata mes tyre, ka skaduar.
Në futboll, 90% vjen si rezultat i punës dhe ndërtimit të skuadrës e stafit teknik, por 10% është edhe fat. Kot nuk thuhet se “topi është i rrumbullakët”. Mbetet të shihen hapat e tjerë drejt “Rikthim tek suksesi”. Shkurt, duhet të presim dhe të gjykojmë mbi faktet! Më pas mund të ketë të drejtë secili të nisë nga “gjyqet”, “sporti” i preferuar i shqiptarëve prej 30 vitesh dhe jo vetëm për futbollin. /Shënim i ShkodraWeb Media/