E rëndë ishte dhe ngjarja e ndodhur në zonën e Kamzës disa ditë më parë, ku Rozina Koleci përplasi me automjetin e saj një çiklist dhe një nënë me dy fëmijët e saj, duke lënë të vdekur burrin që udhëtonte me biçikletë si dhe njërën prej vajzave të familjes Ndreu.
Deri në mbërritjen e forcave të policisë, Rezina Koleci nuk ka bërë asnjë lëvizje, nuk ka thënë asnjë fjalë, dhe nuk ka dalë në asnjë moment nga automjeti i saj.
Në gjendje të rënduar psikologjike, pa ditur përmasat e tragjedisë që ishte shkaktuar, fjalët e saj të para ishin ndaj efektivit të policisë që ju afrua në makinë: “Përse nuk më mori Zoti edhe mua?!”
Mësohet se Rozina Koleci 38 vjeç, është nënë e dy fëmijëve. Dy vjet më parë, bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë pas një beteje të humbur me sëmundjen e kancerit.
Gruaja kishte një rrobaqepësi në Kamëz, aty ku po shkonte mëngjesin që u kthye në tragjedinë e jetës së saj.
38-vjeçarja kishte qenë në tregun çam në Tiranë, ku kishte blerë disa copa për të qepur fustane fëmijësh.
Dikush i kishte porositur për ditëlindjen e një vogëlusheje.
Në sedilen e pasagjerit në automjetin e saj u gjetën pikërisht copat e blera, ndërsa tashmë Koleci ndodhet nën kujdesin e psikologes.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 gusht rreth orës 8:40, ndërsa për aksidentin e shkaktuar Rozina rrezikon të dënohet nga 5 deri në 20 vite burg.