
Zyrtarisht nga sot, janë 50 shqiptarë që nuk jetojnë më! Deklarata e kryeministrit të vendit njoftoi fundin e kërkim- shpëtimeve pas termetit apokaliptik të 26 nëntorit në Shqipëri. Duke uruar që të mos ketë të tjerë shqiptarë që duhen, është momenti që mediat, gazetarët, qytetarët të mos heshtin!
Edhe me 21 shtator por edhe pas 26 nëntorit, dy termete që pasuan njëri- tjetrin ku i pari paralajmëroi të dytin, u përsërit shpesh se “askush nuk mund ti paralajmërojë” e aq më pak “të parandalojë pasojat shkatërrimtare”. Në pamje të parë, kështu është. Por vetëm për mendjet naive.
Kishte, ka dhe do të ketë gjithmonë një mënyrë të paktën për të minimizuar pasojat dhe këtë e ka në dorë Shteti! Kur themi shteti, ai nis nga pushteti vendor- ai më afër shqiptarëve, deri tek kryeministri që është “mbikëqyrësi” i gjithë asaj që ndodh në këtë vend në harkun e një mandati që merr nga qytetarët.
Para dhe pas 21 shtatorit, prioritet madhor ishte marrja e një date për çeljen e negociatave me BE-së. Pas këtij prioriteti, vettingu e më pas, “beteja” për Gjykatën Kushtetuese. Por nga sot, 50 shqiptarë nuk do të mund “ti gëzohen” më marrjes së një date për negociatat, as “suksesit” të Reformës në Drejtësi e as funksionimit pas tre viteve të Gjykatës Kushtetuese. E nga këtu, nis ajo që në mënyrë cinike mund të konsiderohet llogaridhënie e gjithsecilit, për aq përgjegjësi ligjore fillimisht e më pas morale që mund të kenë.
Termetet nuk mund të parashikohen por mund të parandalohet ndërtimi i godinave në kundërshtim me ligjet e rregulloret e miratuara të paktën prej 30 vitesh. Termetet nuk mund të parandalohen por efekti i tyre mund të minimizohet nëse ka njerëz dhe pajisje adekuate për kërkim- shpëtim. Termetet as nuk mund të parandalohen e as nuk mund të parashikohen por nëse ata që shkelën ligjin dërgohen pas hekurave, në të ardhmen mund të kemi më pak viktima sepse do të ketë më pak abuzime me ndërtimet.
E mëqë jemi tek “sektori i preferuar” i politikës- abuzimet, duhet të jemi të gjithë vigjilentë edhe për pjesën financiare. Teksa ka nisur hajdutëria me ndihmat e emergjencës (zyrtarisht, ka edhe të arrestuar), “uria” për paratë do të jetë edhe më e madhe. Aq më tepër kur shumat e dhuruara janë vertetë të mëdha e po orientohet që të mos sillen më ndihma ushqimore e veshmbathje por para “të thata” në llogarinë e unifikuar. Ky nuk është cinizëm, por sjellje në vemendje e asaj që ka ndodhu shpesh herë në situata të ngjashme në 30 vite.
“Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”, thotë populli por sot është momenti të ngrejmë zërin fort. Gjendja e Jashtëzakonshme veç të tjerave, i jep fuqi pushtetit të kufizojë edhe lirinë e medias, të shprehjes. Në pak orë, ka disa raste vërtetë flagrante ku një vajzë e re u arrestua si “përhapëse paniku” sepse guxoi të shkruajë atë që një gazetë prestixhioze e shpërndau në version print në qindramijëra kopje. Kryebashkiaku i Lezhës kërcënoi gazetarët vetëm sepse i vunë mikrofonin para një qytetari dhe shkrimi i një gazetari të njohur shqiptar u bllokua të shpërndahet në FB sepse bënte disa pyetje “të bezdisshme” për qeverinë e kryeministrin e vendit.
Historia e këtyre 30 viteve të fundit por edhe më herët, ka treguar se shqiptarët e kanë kujtesën të shkurtër, “blic”. Mbi këtë të metë tonën, kanë përfituar e vazhdojnë të përfitojnë pushtetarët e rradhës. Kështu ka ndodhur me “2 prillin”, po ashtu me “21 janarin” për të folur për dy ngjarje që sot akoma thërrasin për drejtësi. Të paktën ata që direkt apo indirekt u përfshinë.
Edhe 26 nëntori ësht i destinuar të trajtohet në të njëjtën mënyrë. Pasi të varrosen jetëhumburit, pasi të ikë edhe emergjenca ushqimore, pasi të nisë gradualisht sistemimi i të pastrehëve, sërish në sipërfaqen e debatit publik- mediatik do të dalin temat e zakonshme të orientuara nga politika: Integrimi, vettingu, reforma në drejtësi, shkarkimi i Presidentit etj,.etj.
Me të drejtë, në kushtet e një fatkeqësie kombëtare, opozita vendosi të heshtë, madje, me aq mundësi sa kishte, edhe për të ndihmuar në tejkalimin e situatës së rëndë. Në të njëjtën linjë, qoftë edhe si bashkëfajtore në atë pjesë që udhëhoqi rrugëtimin e shqiptarëve 30 vitet e fundit, do të vazhdojë të heshtë. Mediat, gazetarët e qytetarët e kanë detyrim të mos heshtin. Sepse është e vetmja mënyrë, jo për të parandaluar apo parashikuar një 26 nëntor tjetër, por për të minimizuar pasojat. /Nga Blerti DELIJA/