Përgjithësisht opinioni publik i konsideron bastet si ves, madje një nga më të dëmshmit. Ky ves godet më së shumti ata që kanë më pak mundësi ekonomike. Në vorbullën e varfërisë dhe me delirin e ushqyer prej saj për të zgjidhur problemet, janë këta që i drejtohen pikave të basteve e lojrave të fatit me shpresën e “zgjidhjes” së problemit tak- fak. Mjafton të gjesh rezultatet e sakta për 2-3 evente dhe ja…paratë janë në dorën tënde. Në fakt ky është iluzion. Janë me qindra, mbase edhe mijëra rastet kur bastet kanë gëlltitur jo vetëm para, por edhe jetë njerëzish që nga dëshpërimi kanë ndërmarrë akte ekstreme.
Parimisht, ideja e Edi Ramës për ti mbyllur, është për tu përshendetur. Po tenton të largojë nga shoqëria një ves. Një ves të dëmshëm që ndikon në krijimin apo thellimin e problemeve sociale si dhuna në familje, alkoli, vjedhja etj. Madje, po e bën me kosto: Do ti largohen nga arka e shtetit jo pak miliona- miliarda në formën e taksave që kompanitë e basteve, edhe pse mjaft evazive, derdhin. Po merr përsipër edhe një kosto jo të pallogaritshme, që mund të jenë punonjësit e këtyre bisneseve që kanë mbirë derë më derë rrugëve të vendit.
Po pse është “mision i pamundur” ai i Edi Ramës, si misionar për shpëtimin e shqiptarëve nga vesi i kumarit apo bastit?
Të mendojmë se nga 1 janari, çdo pikë fizike bastesh, do të mbyllet. Po ashtu, edhe kompania/kompanitë online të basteve do të mbyllen. A do të kejnë mundësi “të sëmurët” pas këtyre lojrave të lenë paratë, bashkë me to edhe “leshtë” në baste? Natyrisht që po. E para mundësi, është ajo e të luajturit fshehtas, në grupe të vogla, me njerëz të besuar. Mjafton që një lokal çfarëdo të ketë një kompjuter. Nëse nuk do të lidhet me një kompani online bastesh në Shqipëri, janë me mijëra ato që ofrojnë këtë shërbim nga jashtë vendit. Siç edhe në fakt ka ndodhur, para se të nisnin bastet online në vendin tonë masivisht. Ai që e ka “krimb”, mjafton të futet në një sallë interneti dhe luan sa të ketë “zogun e qejfit”. Mjafton të kesh një kartë banke debiti/ krediti apo llogari bankare për të hapur një llogari bastesh online. Nëse kompanitë e basteve, qoftë edhe online, do të ishin me qendër në Shqipëri, ato pak para taksash do të shkonin në arkën e shtetit dhe fitimet, do të mbeteshin brenda vendit në formën e investimit privat apo zgjerimit të aktvitetit duke hapur vende pune. Në rastin hipotetik që ne përmendëm më sipër, ato para do të “fluturojnë” nga Shqipëria drejt vendeve të huaja.
Për ta kuptuar disi më mirë, në mënyrë të thjeshtuar. Lotaritë sportive në Shqipërin komuniste, kanë qenë të ndaluara. Megjithatë, para vitit 1990, në Shkodër kishte skedina për Kupat e Europës, kampionatin italian Srie A. E njoh unë edhe shumë të tjerë një qytetar të Shkodrës, i cili ne meq të qytetit, në mjediset e Postës qendrore, merrte parashikimet bashkë me paratë e çdo “klienti” dhe të nesërmen i dorëzonte “skedinën” lojtarëve. Ai e plotësonte të gjithën me dorë, duke e kopjuar në aq ekzemplarë sa vetë kishin plotësuar patrashikimet. Kishte raste ku letra e mbledhur si shirit kardiograme, kalonte edhe 1 metër gjatësi. E kur ndeshjet përfundonin, të gjithë dinin nëse kishin fituar dhe sa teksa paratë merreshin tek i njëjti vend nga dora e “mjeshtrit” të skedinës. E kur kjo ndodhte në diktaturë, në kushte të mjerueshme teknologjike, imagjinoni çfarë ndodh sot.
Ndoshta historinë më sipër, si nip Shkodre do ta ketë dëgjuar edhe Rama. Megjithatë, ai duket i vendosur. Edhe pse është i dështuar si misionar. Kumari është ves, sëmundje. Dikush e klasifikon varësinë nga kumari si varësinë nga droga. Mbetet vetëm të përdorë burgun, i cili në rastin e basteve nuk trembi Shkodrën as në diktaturë.
Tani të shkojmë në eksperiencën në vendet e huaja, për shembull në Itali. Janë me mijëra pika lotosh, skedinash, kazino online. Janë miliarda euro që qarkullojnë në këto pika. A janë qeveritarët shqiptarë më të moralshëm se ata italianë?! Pse nuk i mbyllin në Itali, BE, SHBA etj.?! /Shënim i ShkodraWeb/