ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Pse duhet një memorial në Tiranë për “15 korrikun” e Turqisë…?

15 korriku 2016 konsiderohet nga institucionet aktuale të Turqisë si “grusht shteti”. Disa fragmente të ushtrisë turke por edhe institucioneve të tjera në këtë vend, u përpoqën të marrin pushtetin nga duart e presidentit Taip Rexhep Erdogan. Përfundimi i asaj ngjarje dihet, “grushtshtetasit” dështuan, burgjet u mbëshën plot nga ushtarakë të lartë deri tek gazetarët. Nuk munguan as të rënët, sidomos nga rradhët e atyre që penguan këtë lëvizje ushtarake.

Loading...

Për Turqinë por edhe vende të tjera të rajonit atje, grushtet e shtetit nuk janë të panjohura. Kanë ndodhur shpesh, grushte shteti ushtarake apo edhe “të pallatit” siç quhen.

“Dëshmorët e Demokracisë së 15 Korrikut” shkruhet në shqip në këtë memorial, përveç se në gjuhën turke dhe angleze. Janë shënjuar edhe emrat e 251 qytetarëve turq që humbën jetën, ndërsa me “hyqmin” e Bashkisë Tiranë janë mbjellë edhe po kaq rrepe të sjellë nga Turqia.

Për të përkujtuar këtë ngjarje, sot mësuam se është ngritur në Tiranën tonë…një memorial!?

Pikë së pari, presidenti Erdogan ka akuzuar ish- bashkëpunëtorin e tij më të afërt Fetullah Gylen për grushtin e shtetit. Pra, edhe “15 korriku” është një çeshtje brenda “familjes” dhe nuk mund të merret si shembull internacionalist i mbrojtjes së demokracisë nga një fuqi e huaj.

Së dyti, shtypja e Lëvizjes Gylen pas “15 korrikut”, në mjaft raste është kritikuar edhe nga qeveritë përendimore. Për arsyen e thjeshtë, se ka dyshime se “grushti i shtetit” është përdorur për “të larë hesapet” me kundërshtarët brenda e jashtë Turqisë.

Së treti, nuk rezulton që në mes 251 personave që dhanë jetën për të mbrojtur demokracinë turke të Erdogan, të ketë shqiptarë. Edhe pse jo shumë e logjikshme, ky fakt mund të justifikonte vendojen e memorialit të “15 korrikut” edhe në Tiranë.

Së katërti dhe më e rëndësishmja, Shqipëria është shtet sovran. Pavarësisht lidhjeve të hershme, kryesisht përmes pushtimit osman që ka patur me Turqinë që nga koha e Skenderbeut, sot vendi ynë nuk ka asnjë varësi, të asnjë lloji nga vendi i presidentit Erdogan.

Së pesti, pas këtij memoriali të Turqisë, i lind e drejta çdo shteti me të cilin Shqipëria ka marrëdhnie diplomatike, të kërkojë vendosjen e memorialëve të ngjashëm, për ngjarje që lidhen me mbrojtjen e demokracisë në vendet respektive. Tani varrezat e ushtrive pushtuese, do të pasurohen edhe me memoriale të tilla.

Së gjashti, sa shtojmë memoriale të shteteve e popujve të tjerë, do të ishte mirë të ruanim, mirëmbanim dhe shtonim ato që lidhen direkt me historinë tonë, personalitetet tona dhe historinë tonë.

Së shtati, “dashuria” publike e kryeministrit Rama me presidentin Erdogan, nuk duhet të ndërhyjë kaq brutalisht në ndërgjegjën tonë kombëtare, në ndjenjat pse jo- nacionaliste që me të drejtë mund të zgjohen. Jo pak shqiptarë, e shohin Turqinë thjesht si një shtet që na ka pushtuar, siç shohin edhe Italinë, Gjermaninë, Austro- Hungarinë etj.

Shqipëria e Tirana janë të shqiptarëve. Eri Rama dhe Erion Veliaj janë thjeshtë qeramarrësit e rradhës të zyrave të këtij shteti, asgjë më shumë se kaq. Privatizimi deri në këtë masë i pushtetit dhe shtetit, po na kthejnë gradualisht në një republikë bananesh. Nuk respektojmë njëri- tjetrin, të njëjtin gjak, të njejta gene, të njëjtën histori e të njejtat tradita, nuk ulemi në tryezë për të diskutuar për demokracinë tonë dhe i ngrejmë memoriale dëshmorëve të huaj që kanë vdekur në një vend të huaj dhe për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë. E gjithë kjo mund të përmblidhet vetëm me një fjalë: TURP! /Nga Blerti DELIJA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.