Ditën e sotme Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, ka organizuar një dëgjesë publike për projektbuxhetin e vitit 2021. Përveç se një detyrim ligjor, është një nismë që duhet vlerësuar.
Në një ambient jashtë Bashkisë së Shkodrës, dëgjesa publike është drejtuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadia. Në sallë, ishte edhe Senida Mesi, deputete e Shkodrës. Ishte edhe prefektja Majlinda Angoni. Deri këtu, çdo gjë duket normale. Këshilli Bashkiak kërkon opinione, mendime e propozime nga qytetarët e Shkodrës për projektbuxhetin e vitit që vjen dhe deputetët e dalë me votën e shkodranëve, mund edhe të japin mendime, pse jo edhe të lobojnë pranë qeverisë nëse duan të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e bashkisë, meqenëse janë pjesë e mazhorancës.
Ajo që ka rënë në sy, dhe i bie në sy çdokujt, është prania në sallë, madje në radhën e parë të sallës, e Ilir Beqajt. Aktualisht, Beqaj nuk ka asnjë lidhje me shkodran përveçse është i deleguar i Kryesisë së PS- së për Qarkun e Shkodrës. Cila është arsyeja që Ilir Beqaj duhet të jetë në radhën e parë? Me çfarë cilësie ai ngrihet e flet para qytetarëve të Shkodrës (qofshin ata edhe socialistë), kur ata diskutojnë buxhetin e Bashkisë së tyre? Për të demonstruar forcë, për të treguar para mediave e shkodranëve se kush e “komandon” Këshillin Bashkiak, Shkodrën…?!
Pavarësisht asaj që ndodhi me 30 qershor 2019, pavarësisht se sa përqind e shkodranëve votuan për këtë Këshill Bashkiak, kryetarja e këshilltarët më shumë se një herë, e kanë thënë publikisht se përfaqësojnë të gjithë banorët. Nëse kishin ftuar Ilir Beqjan në cilësinë e drejtuesit politik të PS-së, mund të ftonin edhe drejtuesin politik të PD- së Gazment Bardhi, për të qenë të paanshëm.
Sot, Këshilli Bashkiak i Shkodrës është politizuar dukshëm. Për të mos thënë se tanimë, nuk është aspak çudi që i deleguari i PS-së për Qarkun Shkodër, të jetë zyrtarisht edhe drejtuesi politik i Këshillit Bashkiak Shkodër. Mbetet vetëm që ai, Ilir Beqja, të marrë pjesë edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, të marrë fjalën, të japë orientime dhe të diktojë vendimmarrjen. Mundet që ai të ndryshojë pasaportizimin dhe të bëhet qytetar i Shkodrës dhe çdo gjë është në rregull…
Në dijeninë tonë, këto 30 vjet, deri më sot nuk kishte ndodhur asnjëherë që një drejtues politik- partiak, pa asnjë lidhje me Shkodrën të marrë pjesë në një takim të Këshillit Bashkiak me qytetarët për projektbuxhetin, por gjithmonë ka një herë të parë. Nga sot, sovraniteti i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, vihet në dyshim të plotë.
Sigurisht, në pjesën e padukshme, një drejtues politik si Ilir Beqja, ka ose mud të ketë ndikim në vendimmarrjet e Këshillit Bashkiak me shumicë dërrmuese të partisë së tij. Por nga sot, me daljen publike, tregon se Këshilli Bashkiak do të jetë në funksion të PS- së për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe jo të qytetarëve, të paktën të atyre pak që e votuan me 30 qershor 2021. E paprecedent, e tepërt, e pafalshme, në kufijtë e skandalit dhe Këshilli Bashkiak ka detyrimin të shprehet publikisht: Do të jetë në sherbim të qytetarëve apo të fushatës elektorale të PS- së?! /Shënim i ShkodraWeb Media/