
Pas prezantimit zyrtar të Xhemal Bushatit nga radhët e PD- së zyrtare, tashmë është radha e socialistëve për të startuar zyrtarisht fushatën për “betejën” për Shkodrën me 6 Mars.
Në një publikim në rrjetet sociale, Partia Socialiste Shkodër njofton se të merkuren në orën 17:00, do të behet prezantimi zyrtar i Majlinda Angonit, në garën për Bashkinë e Shkodrës. Në këtë prezantim do të jenë drejtues të lartë të PSSH dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar.
“Ditën e mërkurë, dt 09 Shkurt ora 17.00, në Kinema Millennium do bëhet prezantimi i kandidates së Partisë Socialiste për Kryetare të Bashkisë Shkodër, Znj. Majlinda Angoni, nga Sekretari i Përgjithshëm Z. Damian Gjiknuri, drejtuesja politike e Qarkut Znj. Edona Bilali dhe me prezencën e ministreve Znj. Olta Xhaçka e Belinda Balluku. Jeni të mirëseardhur!”, thuhet në njoftimin e selisë rozë të Shkodrës.
Bis në sy se në prezantimin e Majlinda Angonit, nuk do të jetë i pranishëm kryeministri dhe kryetari i PSSH- së Edi Rama. Edhe në prezantimin disa ditë më parë të Xhemal Bushatit, nuk ishte i pranishëm kryetari i PD- së zyrtare Lulzim Basha.
Ndërkohë, të shtunën pasdite është njoftuar prezantimi i kandidatit të “Shtëpia e Lirisë” Bardh Spahia, ku do të jetë i pranishëm lideri historik i demokratëve Sali Berisha në sheshin para Bashkisë Shkodër.





