“PS nuk ka marrëveshje me PSD”, pas debateve në PS Shkodër, Damian Gjiknuri përpiqet “të shuajë”….

Numri 2 i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka mohuar që PS të ketë marrëveshje me Partinë Socialdemokrate.

Referuar debateve të forta në mbledhjen e fundit me socialistët në Shkodër ku Blediana Nika (anëtare e PS) Paulin Stërkaj (deputet) dhe Gjon Gjonaj (kryetar i bashkisë Pukë) u ankuan se vendet e punës ishin zënë nga PSD-ja, Gjiknuri tha se janë spekulime.


I ftuar në Radari Informativ në AbcNews, Gjiknuri tha se mund të ketë pretendime se PSD ka peshë në Shkodër, por që Partia Socialiste nuk ka marrëveshje me ta, pasi në Kuvend ka hyrë me deputetët e saj. I pyetur përse PSD e përkrah qeverinë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se për këtë gjë duhen pyetur ata vetë.

“Të them të drejtën ka pasur spekulime. Jo të gjitha janë thënë në sallë ka qenë një debat për riorganizimin. Ka pasur edhe shqetësime. Por PS nuk ka marrëveshje politike me PSD. Kjo parti ka hyrë me deputetë të saj në Kuvend. Nuk ka marrëveshje koalicioni.

Mund të ketë pretendime sepse ka peshë në Shkodër. Por partitë politike nuk janë për të diskutuar se si do ndahen drejtorët. Ka pasur edhe pretendime dhe ne nuk kemi marrëveshje me PSD. Marrëveshje nuk ka. Është e drejta e tyre pse mbështesin qeverinë. Duhet të pyesni PSD. Po e them zyrtarisht nuk kemi marrëveshje me PSD”, tha Gjiknuri ndër të tjera