Pasi ka përfunduar protesta e opozitës, është rradha e policisë. Siç ka ndodhur edhe në protesta të reja, ekspertët e policisë dhe prokurorë do të shfaqen në sheshin para Kryeministrisë. Bazuar në fotot e videot e bëra nga njerëz të policisë por edhe ato të transmetuara në media, do të nisë identifikimi i personave që kanë shkelur rregullat e protestës. Edhe përmes megafonëve, policia e paralajmëroi këtë që do të ndodhë në orët në vijim. Ka patur akte dhune, është sulmuar ndërtesa, është dëmtuar por nga ana tjetër, janë goditur edhe policë. Sipas Ministrisë së Shendetësisë, zyrtarisht ka 5 policë dhe 5 protestues të lënduar.
Nga ana e saj, opozita ka thënë se personat e dhunshëm, ishin provokatorë të futur në protestë nga policia. Mbetet të shihet nëse personat që do të procedohen apo edhe arrestohen, do të bëhen publikë dhe a do të merren në mbrojtje nga opozita. Monika Kryemadhi e tha qartë se “policia nuk i ndalon personat e dhunshëm, madje i hapin kordonin” për t’iu afruar ndërtesës.
Një gjë është e sigurtë. Do të ketë protestues që do të ndalohen ka vajtur në shtëpi api kthyer në rrethet nga kanë ardhur. Siç edhe në orët e natës, do të ketë ndalime të tjera në rrethe pasi të identifikohen personat e dhunshëm. Nëse nuk do të ndodhë kështu, atëherë opozita do të kishte të drejtë në deklarimet e saj se personat e dhunshëm janë provokatorë të futur nga vetë policia në rradhët e protestuesve.
Nga ana tjetër, besojmë se ka vend edhe për hetim të sjelljes së policisë në protestë. A kishte një skenar për të stimuluar sulmin ndaj Kryeministrisë duke hapur korrdonin përballë një numri shumë të vogël protestuesish? A u hodh më shumë gaz lotsjellës nga sa përcaktojnë rregullat për menaxhimin e protestave? A u nxit reagimi i dhunshëm pikërisht nga të tilla tejkalime të mundshme të policisë? Protestat e kaluara kanë treguar se në të tilla raste, janë protestuesit ata që janë penalizuar ligjërisht.