Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i japë lirinë 10 prej të ndaluarëve pas protestës tek parlamenti, ndërsa ka lënë në qeli vetëm njërin prej tyre. Bëhet fjalë për Dorjan Protoduarin, i riu që u ndalu tek Spitali i Traumës pak orë pas protestës tek parlamenti. Trupi gjykues pasi ka dëgjuar prokurorinë dhe të ndaluarit me avokatët e tyre është tërhequr për të marrë vendimin.
Deputetët e opozitës kanë debatuar me policinë pasi kanë tentuar të hyjnë në Gjykatë dhe fillimisht nuk janë lejuar. Por më pas ata kanë hyrë në seancën për masën e sigurisë.
Bëhet fjalë për deputetët e opozitës Aldo Bumçi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Silva Caka.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 6 nga 11 të arrestuarit: Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Ruzhdi Daci si dhe për Shpati Bilbilajn. Ndërsa për 5 të tjerë: Erald Muçaj, Ali Nalic, Alban e Paolo Ahmetcenaj dhe Lulzim Dozhanin prokuroria ka kërkuar detyrim paraqitje.
DËSHMITË
Lulzim Dozhani, një prej të arrestuarëve tha në seancë se nuk ka bërë asnjë të paligjshme vetëm ka mbrojtur shtëpinë e tij. Ai tha se e kanë arrestuar bashkë me gruan dhe djali i tyre ka mbetur vetëm. Avokatët kërkuan lirimin menjëherë të 45-vjeçarit.
Ndërkohë i arrestuari tjetër Ruzhdi Daci tha në gjyq se nuk i është paraqitur asnjë provë dhe duke qenë ish-ushtarak e di çfarë do të thotë element të veprave penale.
“Nuk jam dakord me akuzën. Nuk më është paraqitur asnjë provë. Unë jam ushtarak në pension. E di se çfarë do të thotë element të veprave penale. Kërkova të më nxjerrin prova filmike për akuzat ndaj meje. Më shoqëruan pasi më pandehin militant të PD”, tha Daci.
Avokati i tij Ilir Murati u shpreh se në çdo vend të botës ka zhvillime protestash e nuk mund të arrestohesh se proteston.
Dorjan Protoduari tha se e kanë arrestuar tek spitali ushtarak kur po vizitonte nënën e tij.
Personat e mësipërm akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, por edhe për prishjen e qetësisë publike e kryer në bashkëpunim.
Nga përleshja e të enjtes së kaluar para godinës së Parlamentit mbetën të lënduar 15 efektivë të policisë, mes tyre edhe efektivja 26-vjeçare, Ina Nuka, e cila humbi dy gishtat e dorës së djathtë pas shpërthimit të kapsollave të hedhur nga protestuesit.
Ndërkohë jashtë Gjykatës familjarët e personave të arrestuar, banorë të Unazës së Re kërkojnë lirimin e tyre duke akuzuar kryeministrin.