
Nga Ervin GJINI
Nisur nga ngjarjet e djeshme ku me mijëra qytetarë të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, pa dallim ngjyre politike, dolën në protestë kundër arrogancës ekstreme te qeverise, përpjekjes së saj për t’iu zhvatur qytetarëve dhe qindarkën e fundit, ne, një grup anëtarësh të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, si dhe drejtues lokalë të PDSH, anëtarë e aktivistë, konstatojmë se:
Është domosdoshmeri absolute që PD të marrë përgjegjësitë e veta, dhe pse me vonesë, për të përfaqësuar interesat e qytetarëve shqiptarë, por dhe të gjithë bashkëkombasve tanë. Protesta e djeshme ishte shprehje e një shembulli të pastër të dështimit të gjithë klasës politike. Në njërën anë, mungesa e transparencës, arroganca ekstreme e qeverisë, gjuha e etiketimet e papranueshme të Ramës, dhe në anën tjetër paaftësia e opozitës për të marrë përgjegjësitë e veta për të qenë në krye të lëvizjeve popullore dhe për të përfaqësuar interesin më të mirë të shqiptarëve.
Në këto kushte, është domosdoshmëri mbledhja e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, për të analizuar dhe vendosur mbi veprimet dhe aksionin politik, që ajo duhet të nisë në mënyrë urgjente, si dhe mbrojtjen e qytetarëve të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, jo vetëm përmes deklaratave për shtyp, por dhe përmes një aksioni politik mbarëkombëtar, duke mobilizuar të gjitha degët e PDsë, shoqërinë civile, pushtetin lokal dhe aleatët e tjerë të natyrshëm të PDsë, që mund t’i bashkohen ketij aksioni, deri në rrëzimin e kësaj qeverie./ShkodraWeb/







