Promovohet libri “Burra të vdekur, të gjallë” i autorit shkodran Xhahid Bushati…

Një nga shkrimtarët më prodhimtarë aktualisht në Shkodër, Xhahid Bushati ka promovuar librin t tij të rradhës. Në mjediset e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” u mblodhën paraditen e të shtunës kolegë, personalitete dhe autoritete vendore të Shkodrës e më gjërë për tu bërë pjesë e eventit që kishte në qendër librin “Burra të vdekur, të gjallë” të Xhahid Bushatit. Zija Vukaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës ka bërë një panoramë të krijimtarisë shumë të pasur të Bushatit, duke u përqendruar tek 35 librat e autorit për fëmijë, në publicistikën e tij dhe sidomos në evidentimin e vlerave të spikatura të Shkodrës, siç është edhe libri “Burra të vdekur, të gjallë”.

“Lënda e parë” e këtij botimi, janë emra të mirënjohur në Shqipëri si Esat Oktrova, Faik Ballanca, Frederik Reshpja, Lec Bushati, Gjon Shllaku, Hamid Gjylbegaj, Ndue Pal Shllaku, Skender Drini dhe Zef Zorba me aktivitetin e tyre dhe atë çfarë kanë lënë pas si trashëgiminë më të spikatur: Krijimtarinë në fushën ku kanë vepruar. E veçantë e këtij botimi është se autori i ka njohur personalisht thuajse të gjithë ata që i ka përfshirë në botimin e tij.

Aktiviteti i sotëm është zbukuruar edhe me recitimet e aktorëve të njohur Agron Dizdari dhe Merita Smaja, por nuk kanë munguar as diskutimet dhe vlerësimet nga salla. Për të gjithë të pranishmit, libri ka qenë i mundur të blihet me gjysmën e çmimit real, si një dhuratë nga autori për të gjithë ata që morën pjesë në promovim. Xhahid Bushati mund të konsiderohet si një nga hulumtuesit më të devotshëm të personaliteteve të Shkodrës, duke i nxjerrë nga hija e harresës në dritën e shtypit të shkruar të përditshëm. /ShkodraWeb/