Ditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi masën e sigurimit “arrest shtëpie” për ish-ministrin Tahiri, që po hetohet për trafik droge dhe korrupsion. Vetë ish-ministri ishte i pranishëm ku dha pikëpamjet e tij në seancën gjyqësore për masën e sigurisë.
Por, Prokuroria e Krimeve të Rënda, përfaqësuar nga prokurorët Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara, paraqiti dy prova të reja për çështjen “Tahiri”. Duke iu përgjigjur parashtrimeve të ish-ministrit, Hajdarmataj kërkoi që të administrohej si provë hyrja e një peshkarexhe italiane në Shqipëri me emrin “Fatima”.
Kjo peshkarexhë u kap në brigjet italiane me një sasi prej rreth 800 kg droge dhe në fakt ishte lejuar të hynte në brigjet shqiptare nga oficerët e Policisë Kufitare. Peshkarexha, e cila kishte lidhje me Moisi Habilajn, ka hyrë në Shqipëri më 6 maj 2015 dhe sipas Prokurorisë, radarët ishin të fikur atë natë për disa orë. I vetmi radar i ndezur ka qenë ai i Porto Palermos që ka pikasur peshkarexhën. Me të njoftuar policinë në Dhërmi dhe Himarë, këto të fundit kanë shkuar ta verifikojnë dhe kanë raportuar se ishte peshkarexhë vendëse me emrin “Rozeta”. Por në fakt nuk ishte kështu.
Peshkarexha “Fatima” është ankoruar në Triport të Vlorës, ku ka marrë karburant dhe drogë dhe është nisur drejt Italisë. Në krye Postës së Policisë në atë kohë ka qenë Sokol Bode, i emëruar nga Tahiri. Bode është një nga tre ish-drejtuesit e Policisë që është shpallur në kërkim dhe nuk gjendet për trafik droge. Prokuroria ka dorëzuar edhe një dosje të emërimit të dyshimtë të Bodes në krye të Postës së Policisë në Dhërmi.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, Saimir Tahiri ka manipuluar edhe regjistrat e hyrje-daljeve jashtë vendit. Bëhet fjalë për rastin e Artan Habilajt, i cili në 2014 ka ardhur nga Greqia në Shqipëri me skaf përmes Portit të Sarandës dhe skafi nuk është regjistruar në kufi. Si këto, ka edhe raste të tjera. Prokuroria argumenton se Policia Kufitare ka qenë në varësinë e ish-ministrit të Brendshëm. I njëjti skaf është marrë disa ditë më vonë nga Moisi Habilaj nga porti i Durrësit pa u regjistruar.
Prokurori Hajdarmataj tha në seancë ditën e djeshme se hetimet ndaj Tahirit kanë qenë mjaft të vështira dhe bazuar kryesisht mbi letërporositë e dërguara në Itali, Greqi dhe Mal të Zi. Ai tha se emri i ish-ministrit përmendet nga Miosi Habilaj, i arrestuar në Itali, në disa përgjime gjatë periudhave kohore dhjetor 2013-2014 dhe në fillim të vitit 2015. 1-Në dhjetor 2013, sipas përgjimeve, Moisi Habilaj diskutonte me Antonio Rielën dhe dy persona të tjerë për blerjen e disa bizhuterive për ish-ministrin Tahiri.
Ka qenë Riela, që gjatë marrjes në pyetje në Itali ka pranuar se ka shoqëruar Moisi Habilajn dhe Meridian Sulajn te dyqani i bizhuterive. Për Prokurorinë nuk ka rëndësi çmimi prej 18 mijë eurosh apo 5 mijë erosh për blerjen e bizhuterive, por blerja e mallit. Sipas dy letëroporisive të dërguara në Itali, shitësi ka pranuar shitjen e dy bizhuterive dhe pritet tashmë që të mbërrijnë certifikatat e tërheqjes së bizhuve, që janë bërë me emra konkretë.
E njëjta gjë vlen edhe për një kostum në dyqanin “Hugo Boss”, që sipas përgjimeve, Moisi Habilaj thotë se e kishte porositur Tahiri ta blinte. Prokuroria pranon se nga pyetja e dy shitësve dhe verifikimet e bëra nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejtë Tahirin, por janë në pritje të ardhjes së certifikatave të shitjes për të mësuar emrat e blerësve. 2-Në shkurt të vitit 2013, ish-ministri Tahiri, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka blerë një automjet tip “Audi” për vlerën e 21 mijë eurove.
Në nëntor të atij viti, Tahiri e ka shitur automjetin për vetëm 900 mijë lekë te Artan Habilaj. Për Prokurorinë, kjo diferencë e madhe në çmim blerje dhe shitjeje, tregon për marrëdhënien e ngushtë mes Tahirit dhe Artan Habilajt. Po kështu, rezulton se ky automjet, edhe pas shitjes, është përdorur disa herë nga ish-ministri Tahiri, në udhëtime në Itali dhe Greqi. 3-Prova tjetër është ajo e një skafi të blerë në Itali dhe të zhdoganuar në portin e Durrësit nga shtetasi Orgest Liperi.
Ky skaf është deklaruar se është blerë për 15 mijë euro, ndërkohë që për riparimin e tij janë paguar 40 mijë euro. Kjo ngre dyshime për mënyrën se si është blerë skafi që është përdorur nga Tahiri. Ish-ministri e ka përdorur skafin në vitin 2014, kur ka shkuar në Korfuz me pushime, i shoqëruar nga familja e tij. Ai ka shkuar atje me skafin e sipërpërmendur, duke dalë nga Shqipëria më 08.08.2014 në orën 09:32 minuta.
Prokuroria thotë se skafi ka pësuar defekt disa ditë më vonë dhe Tahiri ka telefonuar një ish-punonjës policie, Naim Brahimaj, që të dërgonte Artan Habilajn dhe një mekanik në Greqi për riparimin e skafit.
Sipas TIMS-it grek, rezulton se më 14.08.2014, në Greqi ka hyrë shtetasi Artan Habilaj me mjetin tip “Audi”, i shoqëruar nga mekaniku dhe ish-polici. Ndryshe nga sa pretendon Tahiri, Prokuroria thotë se Artan Habilaj jo vetëm që është takuar me Tahirin, por ka darkuar dhe drekuar me të dhe i ka lënë edhe automjetin tip “Audi”, që Tahiri ia kishte shitur. Më 16.08.2014 në orën 13:31, Tahiri hyn në territorin e Shqipërisë nga Qafë-Bota me mjetin “Audi” që ia kishte sjellë Artan Habilaj. Atë ditë, në Shqipëri ka hyrë me skafin që kishte pasur defekt Artan Habilaj dhe dy shoqëruesit e tij. Skafi, sipas Prokurorisë, nuk është regjistruar nga Policia Kufitare. Ai ka vijuar udhëtimin deri në Vlorë, konkretisht në Triport.
Pesë ditë më pas, në Triport është paraqitur shtetasi Moisi Habilaj, i cili ka hyrë lehtësisht në Shqipëri dhe ka hasur vetëm rezistencën e përgjegjësve të Triportit, që nuk e kanë lejuar fillimisht të marrë skafin, pasi nuk kishte dokumentacion. Por Moisi Habilaj e ka marrë skafin dhe ka udhëtuar drejt Italisë, së bashku me dy mekanikë që kanë qëndruar atje me shpenzimet e ish-ministrit dhe janë kthyer disa ditë më vonë në Shqipëri. Riparimi i skafit shkoi në vlerën e 40 mijë eurove, ndërkohë që ishte blerë për vetëm 15 mijë euro. Skafi është riparuar në Brindisi.
Sipas deklaruesit, Orgest Liperi, mjetin lundrues “Auras” e bleu te një shtetas italian me ndërmjetësinë e një miku të tij, R.Sh. Blerja u bë në Durrës dhe në ditën kur dorëzoi lekët, mori mjetin lundrues që ndodhej në portin e Durrësit dhe që ishte i pajisur me kartelë. Nuk i kujtohet të ketë përpiluar kontratë shitjeje në Shqipëri. Me procedurat e zhdoganimit dhe regjistrimit të mjetit të kryera më datë 06.08.2014, u mor Agjencia Doganore dhe për kryerjen e tyre me shpejtësi ndikoi R.Sh., i cili paraprakisht i kishte kërkuar që këtë mjet t’ia linte në përdorim Saimir Tahirit.
Ai nuk kujton të ketë përpiluar dokument për lënien në përdorim të mjetit dhe nuk tregoi interes për të. Mjetin nuk e përdori, por në ndonjë rast pagoi tarifë për lëvizjen me vinç. Gjithashtu, mjetit lundrues në vitet 2015 dhe 2017 iu bë servis në Itali. Pagesat u kryen nëpërmjet llogarisë bankare në emrin e tij. Ishin shtetasit Boge Budini (ish-drejtor i Policisë Kufitare) dhe R.Sh., që e njoftuan për servisin e bërë dhe i sollën edhe faturat. Faturat iu paguan një servisi në jug të Italisë dhe kishin vlerë 40.000 euro.
Ai ka thënë se nuk i njihte shtetasit Artan dhe Moisi Habilaj, ndërsa shtetasin Naim Brahimaj (ish-polic) kishte mundur ta fiksonte si personin që merrej me mjetin lundrues të regjistruar në pronësinë e tij. Para disa muajsh (referuar ditës së dhënies së deklarimeve), pas njoftimit të R.Sh. për urdhrin që ndalonte qëndrimin e mjeteve lundruese në port, mjeti lundrues i tij u dërgua te një resort.
Shtetasin Saimir Tahiri e takoi pas paraqitjes në Prokurori, pra, pas datës 26.04.2018. Takimi iu kërkua nëpërmjet R.Sh. U takuan në Tiranë dhe në takim Saimir Tahiri i kërkoi ndjesë për shqetë- simin që i ishte krijuar nga thirrja në Prokurori. 4-Po kështu, Prokuroria ka edhe dëshminë e ish-policit Naim Brahimaj, që tregon për udhëtimin e tij në Itali për riparimin e skafit me Moisi Habilajn dhe shtetasin A.K.
Ky i fundit e mori në telefon dhe i kërkoi ta shoqëronte për në Itali, ku do të dërgonte skafin në servis. Brahimaj tregoi se shkoi në Vlorë dhe takoi A.K. dhe Moisi Habilajn, ndërsa skafi ndodhej në vendin ku e kishin lënë të ankoruar. Moisiu u kërkoi të shkruanin edhe emrin e tij, ndërsa shkoi në Kapitaneri dhe mori lejen e lundrimit. Udhëtuan të tre në drejtim të Italisë dhe mbërritën në Portin e Brindisit.
Qëndruan disa ditë atje dhe shkuan disa persona, të cilët morën përsipër rregullimin e tij. Gjatë ditëve të qëndrimit atje, shpenzimet u paguan nga Moisiu. U kthye së bashku me A.K. me traget në Durrës, ndërsa Moisiu ishte larguar një ditë më parë. Disa ditë pas kthimit, A.K. e mori në telefon dhe e njoftoi se duhej të shkonin në Itali për të marrë skafin, i cili nuk ishte rregulluar.
Shkuan me traget nga Durrësi në Bari dhe më pas në Brindisi me tren. Të nesërmen morën skafin dhe u kthyen në Durrës. E nxorën skafin në tokë dhe e lanë atë pasi ishte i prishur. Shpenzimet e udhëtimit nuk arriti të mësojë se nga kush u paguan. 5-Një tjetër provë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është rasti i peshkarexhës italiane “Fatima”. Më 6 maj 2015, peshkarexha “Fatima” hyn në territorin e ujërave shqiptare në një kohë që radarët ishin të fikur.
Ajo pikaset nga radari i Porto Palermos në Vlorë, i cili njofton Policinë Kufitare në Dhërmi dhe Himarë që të verifikojnë mjetin lundrues të paidentifikuar. Marinarët e “Fatima”-s ishin nën përgjim nga autoritetet e Katanias, pasi kishin lidhje me Moisi Habilajn. Posta e Policisë në Dhërmi drejtohej nga Sokol Bode, ish-polici i shpallur në kërkim për trafik droge. Pas verifikimit, oficerët e Policisë Kufitare raportojnë se nuk bëhej fjalë për një peshkarexhë të huaj, por për një peshkarexhë shqiptare me emrin “Rozeta”. “Fatima ankorohet rreth orës 2:00 të mëngjesit në Triport dhe ngarkohet me rreth 800 kg kanabis dhe karburant dhe niset drejt Italisë. Sipas përgjimeve ambientale në peshkarexhë, gjatë ngarkimit në të hipën edhe Moisi Habilaj. Sipas dosjes së Katanias, ai u drejtohet dy marinarëve që të kenë kujdes mos kalojnë në ujërat territoriale greke në nisje. “Fillimisht do furnizohemi me naftë, këtu je si në shtëpinë tënde”, i thotë Habilaj njërit prej trafikantëve. “E pe furgonin e Policisë që kaloi? Janë të gjithë tanët këtu. Por nëse ka ndonjë tradhtar s’e dimë. Salla e kontrollit është në portin tjetër.
Kemi një mikun e mikut tonë atje”, thotë më pas Habilaj. Prokuroria ka edhe përgjime telefonike të Sokol Bodes, Moisi Habilajt dhe Artan Habilajt. 6-Prokuroria konsideron edhe si provë të fortë gjetjen e 863 mijë eurove në mjetin e biznesmenit Orest Sota, së bashku me dy patentat detare të Tahirit.
Sipas Prokurorisë, ka dyshime se paratë e gjetura në mjetin e Sotës janë të Tahirit. Prokuroria e mbështet këtë dyshim me faktin se Sota dhe Tahiri kanë disa udhëtime së bashku jashtë vendit, që provon se kanë pasur miqësi dhe lidhje të ngushtë. Bëhet fjalë për udhëtime në Malin e Zi dhe në Itali. Për këtë, Prokuroria ka dërguar letërporosi të tjera që pritet të marrë përgjigje.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, rezulton se firma e biznesmenit Sota ka fituar edhe një tender për rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme. 7-Një tjetër provë se përse Tahiri duhet të qëndrojë në burg, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është fakti i takimit të tij me dëshmitarin Orgest Liperi.
Ky i fundit është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me skafin, njohjen me Tahirin dhe të tjera çështje dhe disa ditë më pas, ai është kontaktuar nga Tahiri. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kjo tregon se Tahiri kërkon të intimidojë dëshmitarin dhe të ndërhyjë në hetimet që po kryhen ndaj tij. /panorama.com.al/