Çdo ditë në mëngjes, prej disa vitesh, kryeministri Edi Rama e nis ditën me postimin e disa fotove apo video, duke uruar “mirëmëngjes” ndjekësit e tij në Facebook.
Ditën e sotme, vëmendja e shefit të qeverisë është përqendruar tek Shkodra, pikërisht tek një investim që është prezantuar në formën e projektit përfundimtar para disa ditëve.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër projekt të shumëpritur, atë të rillindjes së moleve në Liqenin e Shkodrës, për të rikthyer së shpejti, pas shumë e shumë kohësh, lundrimin turistik në liqen, përmes natyrës së bekuar të Shkodrës – Shirokës – Zogaj dhe Vir Pazarit, falë punës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ju uroj një ditë të mbarë.”, shkruan Rama në publikimin e tij.
Projekti, i cili mban firmën e Geosat, synon tërheqjen e vëmendjes në zonën turistike të liqenit të Shkodrës, në pjesën shqiptare, kryesisht për amatorët e lundrimit. I zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes konsulentit GEOSAT, projekti “Almonit” synon krijimin e lidhjes multimodale të transportit liqenor.