PROFIL/ Vehbi Ademi, sportisti i mirënjohur shkodran që la një emër të mirë…

Njeriu i mirë mbetet i gjallë në memorjen e njerëzve!

Të flasësh për Vehbi Ademin duhet, të lexohen kujtimet e miqëve, shokëve,familjarëve, farefisit, të shkruhet një libër i tërë nga jeta e tij, sepse kishte një modesti që kurrë nuk e ekspozonte veten para të tjerëve edhe pse sporti ia kishte shfaqur cilësitë dalluese në publik.

Ishte djali i madh i Fasli Ademit, pronarit të fabrikës së cigareve “Taraboshi “ Shkodër. Flitesh shume mirë në Shkodër për Fasli agen ( kështu e thërrisnin të gjithë ) si njeri i ndershëm. E kishte filluar punën me një çark, mjet që grinte duhanin, dhe me punë të vazhdueshme kishte shtuar fitimet. Fama e cigareve Taraboshi po rritej dita ditës edhe jashtë Shqipërisë, kështu po rritej edhe numri i punëtorëve. Përmendesh në Shkodër marrëdhënia e mirë që kishte me të punësuarit sidomos kur rriti numrin e shegertëve. Trajtimi që iu bënte atyre ishte njerëzor, jo siç jemi mësuar ne të themi për shfrytëzimin kapitalist. Kam takuar rastësisht një zotni i cili mori pjesë në përcjelljen e fundit të hallës time, Hatixhes, Zonja e Fasli Ademit. Ai mezi e përmbante emocionin duke shprehur, mirënjohje të thellë, për Znj. Hatixhen e Fasli agen. “Ne nuk ishim vetëm shegertat e fabrikës “Taraboshi” ne trajtoheshim si fëmijët e tyre. Edhe pse paguheshim rregullisht, për çdo Bajram na blinin veshje të reja, që nga kostumi deri të këpucët, për festen e Flamurit na jepnin dhurata”.

Fasli aga ishte i përmendur në bamirësi sidomos në familjet më fëmijë jetim. Ai ishte kontribues edhe në jeten shoqërore sidomos për sportet. Fasli Ademi bënte pjesë në Keshillin Bashkiak të qytetit në Shkodër. Në foto mund të shikoni Fasli Ademin në krah të Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Zenel Prodani,( foto e vitit 1931.) Njihej si intelektual përparimtar, aktivist shoqëror, administrator i zoti, njeriu i punës së ndershme. Ishte familjarë i përkushtuar edhe pse jetonin bashkë më vëllezër,siç ishte edhe Firma Taraboshi “ Fasli Ademi e Vllazen ”, kishin harmoni dhe korrektësi në pronën e përbashkët.

Kështu ishte edhe e shoqja, Hatixhja, një grua e rrallë, zemër gjerë, punëtore e duar artë edhe pse jetonte në kushte shumë të mira ekonomike, ishte e thjeshtë dhe në shtëpi punonte njësoj më gratë që i kishin marrë për ndihmë në familje për rritjen e fëmijëve. Në këte mjedis vëllazërie të mirëkuptuar u rrit Vehbia, më tri motrat Kicin, Zenin, Lilin dhe vëlla Bërhanin. Vdekja e të jatit në vitin 1941, dhe më pas periudha e luftës dhe diktatura komuniste sollën ndryshime të mëdha në familjen e tyre si në çdo familje shkodrane dhe në tërë Shqipërinë. I jati e la 10 vjeç dhe pasuria po menaxhohej nga të rinjtë, nipërit e tij, një pjesë e të cilëve ishin lidhur më lëvizjen. Pasuria po shkatërrohej deri të sendet e çmuara personale të nanës së Vehbisë, e cila mbeti trokë më 5 jetimët.

Mbas luftës filluan konfiskimet the familja mbeti pa të ardhura. Megjithëse në kushte të veshtira Vehbia e vazhdoi shkollimin në Gjimnazin e Shkodrës ( bashkëstudenti në periudhën e matures, Luan Leka,tregon për Vehbinë se kishte prirje në shkencat ekzakte, sidomos në matematikë ishte ndër të parët e klasës) Aftësitë e tij për të bërë çdo punë dhe talenti i tij për sportin e inkuadruan shpejt në skuadra shumë të njohura të vendit, si Vllaznia, Partizani. Kështu u bë një figurë e njohur dhe kryesore e basketbollit shkodranë dhe mbarë kombëtar.Një nga emrat më të spikatur të lojrave më dorë,si në voliboll,basketboll dhe si trajner. Kur e kerkuan për të kryer shërbimin ushtarak, e mori menjëherë Klubi Sportiv Partizani, ku qëndroi atje edhe tre vite pas sherbimit ushtarak. Fanela e Partizanit, të cilën e mbajti për pesë vite, ia shfaqi më shumë cilësitë e rralla sportive ku përmendeshin gjuajtjet anësore më precizion të Ademit.

Ndeshja nderkombëtare jashtë shtetit, në Rumani, e cilësoi si lojtarin më të suksesshëm në fushë. Pas kthimit nga Tirana, vazhdoi më skuadrën Vllaznia në Shkodër, deri në mbyllje të karrierës së tij sportive në vitin 1963. Ai nuk u shkëput nga sporti, vazhdoi të jetë në krye të ekipit të të rinjve “Vllaznia” si tranier, ku dha gjithë eksperiencën e tij më të mirë, duke nxjerrë sportistë cilësorë si Valter Kalaja, Zyhdi Çoba…. Si artist eshtë i njohur në pikturë, skulpturë,gedhendje e skalitje të drurit. Ai ishte arkitekt, elektriçist, mobilier, …….. .Mbaj mend një bust, skulpturë, që ia dedikoi të vëllait, Bërhanit, një pikturë që bëri në kopshtin tonë, ku kishte shumë lloj pemësh frutore dhe dekorative. Unë e ruaj me shumë kujdes dhuratën e Vehbisë që bëri për martesën time,një elektrik, punim prej druni, në formën e një maçoku, me dy llampushka në sy, ku ndezeshin e fikeshin më një çelës. Gjithë kompozimi, punimi i drurit dhe pajisjet elektrike ishin prej duarve të arta të Vehbisë.

Gjithë qenien e tij e përshkonte një humanizëm që e përcillte më buzëqeshje,më humor, më dashamirësi. Një shokut të tij të ngushtë,Sadi Boriçit pas një sëmundje të gjatë i prenë kemben në pjesën e poshtme i shqetësuar për shokun e vet, vinte e vizitonte dhe diçka mendonte për të bërë për te. Një ditë erdhi dhe ia tha idenë dajës vet ( Jahja Domnori) të cilin e respektonte shumë. Si vizituan bahçen u ndalen te plepi dhe duke diskutuar, i tha, se kam ndërmend të përdor drurin e plepit sepse është dru i lehte për t’i bërë këmben Sadit. Im atë e vlerësoi shumë xhestin e tij njerëzor, (sepse edhe Sadin e donte sikur ta kishte nipin e vet) por kur këmba e drurit doli si origjinale deri edhe më qimet e ngjitura, im atë mbeti pa fjalë duke thënë se Vehbia asht artist i madh….

Në shumë ekspozita të kohës,dërgonte punimet e veta po nuk i dëgjohej emri si artist. Mbaj mend një porosi që i erdhi nga Tirana. Gedhendi një tabaka me gota të vogla prej druri, e kishte holluar aqë shumë drurin sa të dukeshin se janë bërë prej qelqi. Kur i erdhën vlerësimet nga organizatorët ndër të tjerë ishte edhe nga një specialist kinez, i cili ishte mahnitur nga ai perfeksion në dru, që ata mbahen për punime të holla në miniaturë. Sa të tilla punime janë të shpërndara pa emrin e tij dhe si “shpërblim” pati prerjen e dy gishtave të parë të dorës. Megjithë angazhimeve që kishte jashtë shtëpisë, respektin dhe dashurinë që kishte për Nanen Hatixhe e tregoi edhe më shumë kur ajo u paralizue.

Vehbia me të vëllanë Berhanin, beqarë në ate kohë, ia bënin të gjitha shërbimet deri edhe larjen e rrobave. Me këte përkushtim ndaj nënës u bënë të mirënjohur si vëllezrit Ademi. Martesa me zonjën Kydrete, nga familjet e nderuara e të persekutuara të Shkodrës antikomuniste i solli dy vajza Voltana dhe Jetmira ku e tregoi veten në lartësinë e duhur si bashkëshort e baba, por ama baba artist. Nuk mund ta harroj biçikletën veturë të Vebisë. Koshi përpara me dy vende të mbuluara dhe më dritare për vogëlushet, pjesa mbrapa për zonjën e tij, gjithë familja qarkullonte më një mjet që fantazia e tij e kishte bërë multifunksional. Kushdo mund të pyesi,ku e gjente kohën për të bërë gjithë këto mrekulli, atij nuk I mjaftonte dita por punonte deri në orët e vona.Them se Shkodranët kanë detyrim të madh ndaj këtij njeriu artist e human siç e ka cilësuar Prof.Dr.Qemal Shalësi më shumë dashamirësi.

Per njeriun dhe sportistin e mire VEHBI ADEMI:

“ E kam njohur Vehbine si volejbollist e basketbollist në fushat sportive, por më shumë nga Burhani, vëllai i tij i vogël, me të cilin luaja basketboll me Partizanin.

Vehbiu megjithëse, nuk cilësohej si “Ylli” i Vllaznisë i Partizanit kishte fituar admirimin e bashkëlojtarëve, sportdashësve dhe pse jo, edhe te kundërshtarëve te tijë.

Dhe kjo falë talentit të tij të padiskutueshem, cilësive të veçanta fiziko-teknike, punës së madhe gjatë procesit stërvitor, pasionit dhe përkushtimit të madh, në pjesën më të bukur të jetës së tij.

Burhani,(vëllai i tij)me tregonte se, që në vegjëli i pelqente të vraponte e të garonte me. moshatarët, por më shumë ishte i dashuruar me topin e volejbollit dhe të basketbollit, i mbështetur gjithnjë nga familja e tij. Burhani e pati më të lehtë sepse shembullin e kishte pranë.

Kam dëgjuar më parë fjalët më të mira për Vehbinë nga shokët e miqtë e tij si Xhorxhi Kono, Andon Kona, Petrit Murzaku, e të tjerë. Kam dëgjuar edhe më shumë, kur se bashku me Korab Llazanin, Sekretar i Përgjithshëm i Federates Basketbollit, vajtëm në shkodër në varrimin e tijë.

Kishte ndërtuar në familje një harmoni të plotë si familjar i përkryer që ishte; mbante një rregjim sportiv e jetësor të përkryer, armik i duhanit e pijeve alkolike. Në shoqëri ishte korrekt dhe thonte gjithnjë të vërtetën, sepse ishte vërtetë i tillë.Ishte djalë dhe burrë punëtor dhe serioz. Por njëherësh edhe me një sens të spikatur humori të bartur nga humori i njohur shkodran, por edhe nga ai sportiv.

Sportistët nuk janë të mbyllur në guaskën e tyre, por janë interesant kanë nevojë për humor e shaka.

Po e ilustroj me një shembull të dëgjuar: Në një ndeshje volejbolli Shkodra-Tirana, kishte aq shumë tifozë sa që kishin hypur edhe në dy pemë dhe që papritur rrëzohen për tokë.
Loja ndërpritet, lojtarët e dy ekipeve vërsulen të ndihmojnë, fatmirësisht më dëmtime të vogla. Vehbiu u ndodh para një të dëmtuari i cili i tha : Ti Vehbi e ke fajin që me ato pritjet e vështira dhe gjuajtjet e bukura, na i more mendtë dhe na rrëzove për tokë.

Një rast tjetër të paharruar për mua personalisht ishte ndërhyrja e tij: Ja se si ndodhi

Isha i ri në moshë dhe i ri si arbitër basketbolli, në Shkodër gjykoja ndeshjen Shkodra -Partizani. Ishte një ndeshje e fortë dhe e vështirë, fitoi Shkodra.

Sa mbaroi loja më afrohen disa lojtarë të “Partizanit” dhe më akuzojnë për njëanshmëri.

Çuditërisht, më gjindet pranë Vehbiu dhe polemizon me to, me një ton të butë, miqësor dhe bindës duke u thënë atyre : Unë kam luajtur vetë me Partizanin, nuk e kishim zakon të bënim fjalë me arbitrat, por ju jeni mësuar të fitoni gjithnjë dhe ju duket çudi se si humbët, s’ka faj Arbitri, mësohuni të pranoni humbjen dhe të mësoni edhe nga kundërshtari.

Një kujtime i paharruar ishte kur punoja në Federatën e Lojërave me Dorë,si Sekretar i Përgjithshëm. Në një ndeshje ndërkombëtare basketbolli kishte ardhë edhe një personalitet i madh i Basketbollit Evropian si vëzhgues.Personi shoqërues “u mburr” se do t’i bënte një dhuratë të paparë, dhe e mbajti fjalën. Dhuratën ia dorëzova unë (Q.Shalesi). Kur e hapi doli një kuti, brenda së cilës ishte një maket i fushës së basketbollit. U çudit Ai dhe ne të gjithë. Ate e kishte punuar në dru Vehbi Ademi i cili fisnikërinë e tij e tregoi edhe duke mos marre shpërblimin që i takonte. “ Prof.Dr.Qemal Shalsi.
Edhe pse Vehbia kaloi vështirësi në jetë, kishte një natyrë që kurrë nuk ankohej, gjithmonë buzagas. Kur ishte në fillimet e veta sportive,dhe ekonomija në familje ishte e dobët nana Hatixhja i thoshte “ djali i nanës a luhet më top, pa mbushë barkun mirë ” Ai i përgjigjesh më të qeshur “mos u ban merak se kur djersitem pi ujë”. Kështu ishte edhe Berhani, i vëllai, përveç sportit dhe mesuesisë i hanin duart për rregullime dhe meremetime në shtëpi. Si vëllezër kishin marrëdhënie të ngrohta dhe në harmoni edhe me motrat.

Edhe ata duararta si vëllezrit edhe pse iu perkushtuan arsimit nuk pushonin, bënin qëndisje, rrobaqepesi, thurje e punime trikosh…Të gjithë e krijonin të bukurën, çfarë u shihte syri ua bënte dora. Nëse një ditë do të shkruhet biografia e kësaj familje me emër të mirë, me tolerancë fetare të dallueshme, do të duhen vetem kujtimet e njerëzve që të tregojnë se ku ndodhen punimet e këtyre talenteve të gjithanshem. Çdo gjë e dorëzuar prej tyre ka firmë kolektive dhe jo firmën e tyre, se ashtu e donte koha, ishin bijtë e një tregtari të ndershëm.

Këte traditë ndoqen edhe femijët e tyre. Marr shkas nga ky shkrim të përmend vajzën e Vehbisë, Voltanen, violinistën e shkollës Preng Jakova, e cila përveç shkollimit të lartë në informatikë në U.T. dhe Masterit në Universitetin ”Zoja e Keshillit te Mire“ angazhohet në politikë me P.D. duke pasur një ngritje graduale, deri Deputete në Parlamentin Shqiptar. Njihet si politikane e pakomprometuar. Ajo në vazhdimësi të traditave familjare njihet si Zonja me karakter të fortë, e drejtë për drejtë, e guximshme e me kurajo. Duke qenë korrekte në detyrë mban në zemër krenarinë për Qytetin që e lindi e rriti dhe që po i sherben më devotshmëri. Karrikën në të cilën u ul gjyshi i saj, Fasli Ademi, në Bashkinë e Shkodrës nuk e mori si trashëgimi por nga meritat e saj formuese e kontribuese.

/Me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të sportistit të mirënjohur shkodran, Vehbi Ademi, 3 Maj 2009 nga Pertefe Domnori Leka/

Loading...