
Rebani Jaupi është zëvendësdrejtori i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, duke zëvëndësuar në këtë detyrë Eduart Sulejmanin qe mbante postin në fjalë. Jaupi mbante së fundmi detyrën Përgjegjës i Departamentit të Formimit të Vazhdueshëm në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë.
Rebani Jaupi nuk është emër i panjohur, pasi ka mbajtur disa pozicione në Policinë e Shtetit. Drejtuesi i Lartë u komandua në postin e kreut të Policisë së Shtetit në janar të 2018-ës kur u largua nga detyra Haki Çakos. Në nëntor të 2015, Rebani Jaupi u emërua zëvendësdrejtori i ri i Policisë Shtetit me urdhër të ish-ministrit të punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri, ndërsa iu dha edhe grada policore “Drejtues i Lartë”. Përpara se të merrte detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Jaupi mbante postin e drejtorit të krimit ekonomik në DPP, ndërsa pas largimit të tij u zëvendësua nga Lutfi Minxhozi.
Me një karrierë 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi ka mbajtur edhe funksione të tjerë në drejtoritë e qarqeve në Durrës, Elbasan dhe në Tiranë.




