ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

PROFIL/ Një ish- ushtarak në krye të Qarkut Shkodër, kush është Hilmi Lakti- kryetari i zgjedhur sot…?!

Në mjediset e Prefekturës së Qarkut Shkodër, është bërë sot konstituimi i Këshillit të Ri të Qarkut, i dalë nga votimet e 30 qershorit. Pas votimit të antarëve të këtij këshilli, siç ishte e kuptueshme, do të zgjidhej ai që ishte caktuar më herët politikisht nga PS-ja, edhe meqenëse nuk kishte probleme me “numrat”. Kryetari i ri i Këshillit të Qarkut Shkodër, u zgjodh me vetëm dy vota kundër Hilmi Lakti.

Lakti nuk është një nga figurat më të njohura mediatikisht në PS-në e Shkodrës dhe emërimi i tij, në një farë mase mund të quhet edhe surprizë teksa më herët janë artikuluar emra të tjerë. Nga CV-ja e depozituar në KQZ si kandidat për këshilltar bashkiak në Shkodër për votimet e 30 qershorit, rezulton se Hilmi Sakti është një ish- ushtarak. Nga viti 1982 deri më 2011, ai ka mbajtur gradën e nënoficerit ndërsa nuk është e qartë nëse ka kryer arsimin e lartë ushtarak apo thjesht shkollën “Skenderbej”. Grada nënoficer (kapter) nënkupton se ai nuk ka patur arsimin e lartë ushtarak, të paktën siç pohojnë njohës të këtij profesioni.

Në të njëjtën CV, rezulton se Lakti ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin “Argenti”, i cili pasi qëndroi i hapur për disa vite në Shkodër, u mbyll në kuadër të reformës në arsimin e lartë të qeverisë socialiste. Në vitin 2013, në moshën 53 vjeçare, vetëm dy vite pasi ishte shkëputur nga jeta ushtarake, Lakti kreu ciklin “Bachelor” duke mos preferuar të vazhdojë më tej formimin e tij si jurist. Në sferën e aktivitetit politik, Lakti ka shënuar se është kryetar i PS-së për Anën e Malit në Shkodër.

Nga sot, Hilmi Sakti do të jetë kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, duke zëvendësuar në detyrë Greta Bardelin.

MUND TË LEXONI EDHE:  “U votua me 99% të votave Kryetari klloun dhe ilegjitim…”, PD reagon pas konstituimit të Këshillit të Qarkut Shkodër…

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.