PROFIL – Kush është Gledis Nano, drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i lindur në Shkodër me origjinë nga Skrapari

Nga dje Policia e Shtetit nisi të drejtohet nga Gledis Nano, i cili drejtonte Antiterrorin në Policinë e Shtetit. Ai ka lindur në Shkodër, ku babai i tij nga Skrapari, ishte punonjës policie. U rrit në Tiranë por nuk i shkëputi lidhjet as me Shkodrën ku është diplomuar si jurist.

I njohur vitet e fundit si drejtori i suksesshëm i Antiterrorit, 40-vjeçari Nano u vlerësua së fundmi edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.


“Vendosmëria juaj dhe përkushtimi në luftën kundër terrorizmit ka sjellë kredite të mëdha e të shtuara te vetja juaj edhe për Drejtorinë e Antiterrorit dhe Policinë e Shtetit”, shprehej ambasadorja Yuri Kim, kur i dorëzoi Nanos certifikatën.

Me një karrierë 19- vjeçare në Policinë e Shtetit, të pandërprerë që nga diplomimi në Akademinë e Policisë në vitit 2002, Nano aktualisht ka marrë gradën “Drejtues Madhor”, nga “Drejtues i Parë” që mbante deri dje.

Drejtori i ri që tashmë është në krye të Policisë së Shtetit është ndër ata oficerë që ka ngjitur shkallët e karrierës gradualisht dhe pa shkëputje nga puna, përveç një procedimi disiplinor në vitin 2008, për të cilin mori edhe dëmshpërblim nga Gjykata e Apelit, pasi rezultoi një akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin.

Gledis Nano vjen nga një karrierë 19-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku 5 vitet e fundit i ka pasur në krye të Antiterrorit, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Ai ka drejtuar operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi “Al-Hol” në Siri apo edhe zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë etj.

Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.

Është diplomuar në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” në vitet 1999- 2002, ku pas diplomimit ka marrë titullin “Specialist i Lartë Policie”.

Në vitet 2006- 2009 është diplomuar me titullin “Jurist”, ndërsa në vitet 2009-2011 ka kryer studime pasuniversitare në fushën juridike pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Ka zhvilluar trajnime brenda dhe jashtë vendit, të cilat sipas titullit përputhen me pozicionet e punës që ka mbajtur në mënyrë të vazhdueshme gjatë kohës së punësimit.

Angazhimi i tij ka qenë maksimal, i cili vërehet edhe në vlerësimet e kryera për trajnimet dhe kryesisht ato të zhvilluara jashtë Republikës së Shqipërisë.

Gledis Nano u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit më 7 shkurt të vitit të kaluar. Sipas vendimit të zbardhur të KJV, Nano ka plotësuar të tria kriteret: pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Sa i përket pastërtisë së figurës, rezultoi se Gledis Nano nuk kishte masa disiplinore përgjatë periudhës 7-vjeçare në fuqi ose të parashkruara. Sipas dokumentacionit të vlerësimeve të punës për periudhën 2012- 2018, konstatohej se Nano ka qenë vlerësuar me nivelin “Shumë mirë”, duke u vlerësuar për një nivel të lartë të organizimit të punës në grup, për përpikëri dhe besueshmëri, për saktësi në marrjen e vendimeve, për përkushtimin, integritetin dhe standardet e larta etike.

Është i pajisur me certifikatë sigurie CSP, niveli “Tepër Sekret” dhe sipas informacionit që ka përcjellë Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gledis Nano nuk rezulton të ketë qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, të ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, deri në 2 korrik 1991. /Nga Etleva DELIA/