
Prezantimi i saj publik, ka qenë i pazakontë që në daljet e para të saj. Një vajzë “fshatare” që në asnjë moment nuk bëri as përpjekjen më të vogël të shfaqej ndryshe: krenare për çdo gjë të trashëguar, kultivuar por edhe modernizuar. Më mirë se askund, e shprehu në emrin me të cilin u identifikua shumë shpejt: Neomalsore!
Vendosja e Marjana Koçekut ka qenë surprizë për vetë atë, brenda PS- së, natyrisht edhe brenda PD- së në nivelin lokal të paktën. Personazh i vetëkrijuar falë shembullit individual, por me zero eksperiencë politike. Mbase edhe për këtë arsye “nxitoi” të shfaqej e ngazëllyer publikisht për realitetin që gjeti në partinë që e vendosi të parën në listën e sigurtë. Me gjasë, kur të bëhet pjesë e real-politikës në Kuvend, do të ndryshojë mendim.
Por sot, Marjana duhet të “gjykohet” dhe “peshohet” për atë që është munduar të përfaqësojë. Sigurisht, ajo mund të shkruajë e artikulojë edhe letraren por preferon “zhargonin” e përditshëm të trevës së saj. “Prova” do të jetë foltorja e Kuvendit, nëse do të vijojë apo do të përshtatet deri në transformim të të folmes e të shkruarës.
Marjana duket vajzë e fortë, edhe pse po e anatemojnë deri në bullizim me personazhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Deri tani, nuk duket ose nuk ka preferuar të shfaqet me familje apo farefis të “fortë”. Çdo gjë e mban e përballon me supet e saj të brishta por të forta, duket u bazuar në punët që kryen dhe dokumentohen përmes fotove.
Kaq mund te thuhet per Neomalsoren, pa e njohur nga afër. Por sfida e vertetë për të, ata që e mbështesin por edhe ata që e kritikojnë sot, akoma nuk ka ardhur. Duhet pritur me durim 12 maji 2025, sidomos shtatori që vjen, kur Marjana do të ulet në Kuvend. Deri atëherë, Neomalsore ka vendosur të vijojë rrugëtimin e saj, e pashqetësuar nga kontestuesit dhe e pamikluar nga mbështetësit. Sa do të bëhet politikane, sa do të rezistojë në origjinalitetin e vet, a do të transformohet apo tjetërsohet, sot vetëm mund të hamendësohet! /Nga Sokol N. SOKOLI/