
Bujar Rexha mund të konsiderohet surprizë në listën e kandidatëve për deputetë të PS- së Shkodër. Surpriza është dyfishe, po të kesh parasysh se Rexha është vendosur në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Me shumë gjasa, që në rreshtimin e tij në listën e mbyllur, ai mund të konsiderohet përfaqësues i Malësisë së Madhe në Kuvendin që do të dalë pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Pse u përfshi në listë, në listën e mbyllur madje, të sigurtë, për deputet? Hamendjet janë nga më të ndryshme, të cilat shfrenojnë fantazinë e çdokujt në dhënien e opinioneve. Në fakt, përgjigjen e dha vetë kryeministri Rama, teksa Rexha “rrëfehej” për jetën e tij në podcast-in ku u prezantuan kandidatët e PS- së. Për një peiudhë, Bujar Rexha ka “patur në dorë” jetën e Edi Ramës.
Deklaratën e ka bëtë vetë Rama, teksa i ka kujtuar Rexhës (mund ta dëgjoni vetë në video) se, përveç shoqërues i një kryetari Kuvendi para shumë viteve, ka qenë shoëqërues edhe i atij vetë. Pra, një truprojë e dikurshme e Edi Ramës, do të ulet në Kuvend si deputet, përfaqësues i trevës së Malësisë së Madhe.
Por me gjasë, nuk është kjo arsyeja e vetme e përzgjedhjes së Bujar Rexhës si kandidat, thuajse deputet i sigurtë. Me një formim të plotë ushtarak, në shkollat ushtarake të para 1990- ës, Rexha vjen nga një familje tradicionalisht e majtë, e njohur për këtë fakt edhe në Malësi të Madhe. Është një familje e madhe dhe me lidhje të shumta në trevën e Malësisë së Madhe.
Prej më shumë se 20 vitesh, ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jo vetëm ka ndëtuar jetën dhe familjen e tij, por edhe një biznes të rëndësishëm, aktualisht në fushën e ndërtimit. Ai prind i tre fëmijëve, 2 vajza dhe një djalë. Djali dhe vajza e madhe, tashmë janë në rrugën e jetës pas arsimimit në SHBA, teksa vajza e vogël me gjasë do të nisë shkollimin në Shqipëri, si vajza e një deputeti të parlamentit.
Bujar Rexha konsiderohet kandidaturë e PS- së nga radhët e Diasporës shqiptare. Në fakt, edhe në teritorrin e qarkut Shkodër, janë lakuar edhe emra të tjerë, të njohur në strukturat lokale por përzgjedhja, madje në listë të mbyllur, i ra pikërisht Bujar Rexhës nga Malësia e Madhe, ish- truprojë edhe e Edi Ramës, biznesmen në SHBA dhe përfaqësues i një familje të njohur të majtë në këtë trevë. /ShkodraWeb/