
Gigi Buffon lë fushën e lojës pasi në tabelën e arbitrit të katërt në ndeshjen Juventus – Verona sheh numrin e tij. Kapiteni 40-vjeçar i bardhezinjve mbyll në këtë mënyrë një karrierë të mbushur me suksese dhe dështime në Torino. Nuk munguan emocionet, lotët, deklaratat për dashuri të përjetshme dhe ovacionet për portierin e konsideruar “legjendë” te 7-herë radhazi kampionët e Italisë.
Por a ka qenë karriera e Gigi-t e mbushur vetëm me lavdërime? Jo. Ai ka pas krahëve edhe një anë tjetër të medaljes ku nuk kanë munguar akuzat, kritikat dhe skandalet. Nëse do të shkruajë një libër (me siguri do ta bëjë pas disa vitesh) ndoshta mund të zbulojë edhe për ato akuza të rënda që i janë bërë ndër vite si lidhjet me fashizmin, bastet, biznesin, tradhtinë bashkëshortore e deri te diploma e shkollës së mesme e blerë.
Një kapiten i vërtetë në fushën e lojës, por jashtë saj nuk mungojnë njollat. Bastet sportive në vend të parë. Më e forta ajo e vitit 2006 kur edhe vetë e pranoi se kishte luajtur në baste, por vetëm në kampionate të huaja. Prokurori federal Stefano Palazzi vendosi ta arkivojë çështjen pasi hetoi 5 ndeshje të luajtura të Juventusit pas dyshimeve se Buffon dhe disa lojtarë të tjerë kishin lëvizur shuma të mëdha parash. U vërtetua një lëvizje prej 1.5 milionësh që Buffon ia kishte kaluar një mikut të tij, shitës cigaresh në Parma. Dyshimet ishin të mëdha. “Janë lëvizje parash dhe të ardhurash nga pasuria e tij” – do të mbrohej avokati i portierit.
Buffon-it nuk i ka munguar edhe shpirti i iniciativës si biznesmen. Në vitin 2011 u bë aksionisti më i madh i grupit të tekstileve “Zucchi” me 19,6% të kapitalit të shoqërisë. Një vit më parë ishte futur në lojë për të shpëtuar edhe skuadrën e Carrarese, të qytetit të tij të lindjes duke marrë 50% të aksioneve bashkë me shokun e tij futbollist Cristiano Lucarelli dhe ish-presidentin e Pisa, Maurizio Mian. Carrese u ngjit menjëherë në Lega Pro.
Edhe politika duket se konkurron me pasionin për topin pasi më shumë se një herë ai e ka shprehur hapur opinionin e tij për atë që i nevojitet Italisë për të dalë nga kriza, madje duke bërë edhe apel për vendin e tij.
Kjo e ka vënë shpesh në qendër të polemikave për shkak të simpatisë së tij për ekstremin e djathtë. Më shumë se një dyshim janë të paktën 3 raste kur ai është akuzuar si mbështetës i fashizmit.
Dy episodet e para kanë të bëjnë me kohën kur militonte te Parma. Në një rast ai shkoi poshtë tifozëve dhe u tregoi bluzën e tij ku shkruhej: “Boia chi molla” (Xhelat për atë që tradhton) e njohur si fraza e neofashistëve e përdorur në Regio Calabria gjatë viteve 1970. Për tu justifikuar ai tha se këtë frazë e kishte parë në një tavolinë gjatë kohës së kolegjit. Çështja u bë pjesë edhe e debateve në parlament. Ia hodhi me një gjobë prej 5 milionë liretash.
Polemikat shpërthyen me forcë në drejtim të tij kur zgjodhi bluzën me numrin 88. Ai që e vuri në dukje lidhjen e këtij numri me nazizmin ishte përgjegjësi për sportin i komunitetit hebraik në Romë, Vittorio Pavoncello. Ai kujtoi se dy shifrat ishin një kod për të treguar dy herë shkronjën e tetë të alfabetit që përkthehej në HH ose “Heil Hitler”.
Edhe në këtë rast Buffon, që në vazhdim mbajti bluzën me numrin 77, tha se nuk e kishte dijeninë e atij simboli, por e kishte zgjedhur atë shifër pasi i jepnin idenë e 4 topave, e përshtatshme për të identifikuar ringritjen e tij pas dëmtimit që e la jashtë evropianit të vitit 2000.
Këmbëngulja te figura e djaloshit të pafajshëm mori një tjetër goditje në vitin 2006 kur si kapiten i Italisë u shpall kampion i Botës në Gjermani. Gjatë festimeve, Buffon nxorri në publik një banderolë ku shkruhej “Krenarë që jemi italianë” e shoqëruar me kryqin kelt, simbol nazist. Këto akuza e kanë vënë shpesh Buffon në qendër të vëmendjes, por ndaj tij nuk është marrë ndonjëherë ndonjë masë disiplinare.
Duke gërmuar në të kaluarën e tij gjendet edhe një tjetër episod që e bëri Buffon gati për në burg, por që shpëtoi për fije të perit. Në vitin 1997 Buffon falsifikoi një diplomë llogaritari për tu regjistruar në universitet. Mashtrimi u zbulua në vitin 2001 dhe lojtari që e pranoi fajin pagoi një gjobë prej 6 milionë e 350 mijë lira për të mos shkuar të burg. Mund të konsiderohen çikërrima nëse llogariten edhe 1 milion e gjysmë që ia dhuroi mikut të tij “shitës cigaresh” me qëllim “mbrojtjen e pasurisë së tij” gjatë skandalit të basteve.
Buffon u martua me modelen çeke Alena Šeredová në qershor 2011, me të cilën kishte një lidhje prej vitit 2005. Të dy patën edhe 2 fëmijë, Louis Thomas dhe David Lee. Por pas 3 vitesh martesë ai lajmëroi divorcin. Shkak ishte bërë një lidhje e fshehtë që ai kishte nisur me gazetaren Ilaria D’Amico. Edhe kjo nuk u prit mirë nga publiku që shihte te kapiteni i kombëtares një njeri model.
Ndaj Juventusit ka një kapitull të gjatë për marrëdhëniet me arbitrat, por kjo është një temë tjetër. Vetëm një muaj më parë, Buffon u vu në qendër të komenteve pas penalltisë që arbitri britanik dha kundër Juventusit në minutën e fundit të ndeshjes me Real Madrid në Champions League. Atëherë Buffon e quajti arbitrin “insensibile” (pa ndjenja). Kaq ka mjaftuar që çdo ndeshje të Juventusit në Itali, tifozët kundërshtarë t’i kujtojnë Buffon “arbitrat pa ndjenja” që sipas tyre kanë penalizuar skuadrat e tjera në favor të bardhezinjve duke sjellë në vëmendje skandalin “Calciopoli”. /lapsi.al/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!