NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

Probleme me diabetin dhe tensionin e lartë, nesër mund të përfitoni ekzaminime falas para Bashkisë Shkodër…

Nëse keni probleme me diabetin apo me tensionin, nesër mund të përfitoni analiza dhe ekzaminime falas nga mjekë që vijnë nga Kuvajti. Gjithçka nis para sheshit të Bashkisë së Shkodrës, nga ora 8 e mëngjesit deri në 17.00 nga Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Kuvajtit. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Bashkisë së Shkodrës në Facebook, e cila mbështet në terren këtë inciativë.


“Njoftojmë të gjithë banorët e Bashkisë së Shkodrës se nesër, datë 8 gusht 2018, duke nisur nga ora 08.00 deri në 17.00, në sheshin para Bashkisë Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Kuvajtit, do të kryejnë analiza diabeti dhe matje tensioni falas për publikun.

Shoqata Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi është shoqatë humanitare që vepron në Shqipëri prej shumë vitesh dhe kontributi i tyre ka qenë shumë i madh edhe për Shkodrën. Aktiviteti i saj humanitar financohet nga shoqata humanitare kuvajtiane të cilat kanë ndihmuar në lehtësimin e vështirësive të ndryshme që ka hasur populli shqiptar.

Me këtë rast, Bashkia e Shkodrës i shpreh mirënjohjen Shoqatës Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi, e cila jep edhe një tjetër shembull të spikatur humanizmi.”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Shkodrës.

Duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi, sepse kura më e mirë për çdo sëmundje është parandalimi i saj dhe kapja në kohën e duhur.