Privatizimi i Vllaznisë së futbollit, 10 muaj procedurë, e pezulluar për rreth 4 muaj nga ankimimet…

Procesi i ankandit të 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a. ka shënuar fundin e tij fiks 10 muaj nga nisja e tij. Duke konsideruar vendimin e sotëm të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë si finishin e një procesi që nisi me 26 tetor 2020, privatizimi si procedurë, nuk ka rezultuar shumë i lehtë dhe pa pengesa.

Përmes një shkrese që mbante datën 26.10.2020, kryebashkiakja Voltana Ademi i paraqiti Këshillit Bashkiak “Relacionin dhe Projektvendimin – Për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a në masën 100%”, i cili e miratoi duke i hapur rrugën procesit.


Në vazhdim, Bashkia Shkodër filloi procedurat teknike me krijimin e Njësisë së Ankandit dhe përcaktimin e afateve e kritereve për pjesëmarrje të të interesuarve për blerjen e aksioneve të KF Vllaznia sha. Për rreth 2 muaj procedura u pezullua për shkak të ankimimit në KPP të një prej pjesëmarrësve në ankand, i cili më pas u tërhoq për shkak të borxheve të akumuluara të Shoqërisë Aksionare dhe që duhej të merreshin përsipër nga blerësi i mundshëm i aksioneve.

Më pas, u mendua se gjithçka do të shkonte normalisht për të përfunduar brenda pak javëve. Në fakt, ndodhi e kundërta. Almiro Gurakuqi u skualifikua nga gara, ndërsa një pjesëmarrës tjetër i vetëofruar, u tërhoq pa bërë shumë bujë. Gurakuqi e konsideroi të padrejtë skualifikimin nga Njësia e Ankandit dhe iu drejtua me ankesë Autoritetit Shitës- Bashkia Shkodër, e cila la në fuqi vendimin Njësisë së Ankandit.

Gurakuqi nuk u ndal me kaq. Ushtroi të drejtën e ankimimit në KPP dhe aty procedura ngeci për më shumë se dy muaj. ShkodraWeb Media u interesua dhe kërkoi informacion për çeshtjen pranë KPP- së dhe mesa duket atëherë “makineria” u kujtua të lëvizë. Me 17 gusht 2021, KPP i dha të drejtë Bashkisë Shkodër për skualifikimin e Almiro Gurakuqit.

Por përsëri ai ishte i pakënaqur edhe nga ky vendim. Gurakuqi e ankimoi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke përkuar “sigurim padie” me synim pezullimin e procesit deri në shqyrtim në themel të çeshtjes. Ditën e sotme, 26 gusht 2021, Gjykata mori vendim duke rrëzuar kërkesën e Gurakuqit dhe në mbyllje të 10 muajve, ti japë fund “de jure” dhe “de facto” procesit të ankandit të KF Vllaznia sh.a.

Tashmë nuk ka më asnjë pengesë ligjore që Alban Xhaferi, i vetmi që plotësoi kriteret e ankandit dhe i vetmi i kualifikuar, të bëhet pronar i 100% të aksioneve të KF Vllaznia sha, duke nënshkruar edhe kontratën përkatëse me pronarin aktual, Bashkia Shkodër. Pas 10 muajve të gjatë, ku të paktën 4 prej tyre u humbën në ankesa të pjesëmarrësve në ankand, plotësohet dëshira e tifozerisë që Vllaznia e futbollit të kalojë në administrim privat.

Në të njëjtën kohë, përmbushet edhe një premtim i kryebashkiakes Voltana Ademi, e cila kishte deklaruar se do të përfundonte procesin e privatizimit të Vllaznisë gjatë mandatit të saj në krye të Bashkisë Shkodër. Tashmë për Vllazninë nis një “erë e re”, duke shënuar një risi për të gjitha klubet e futbollit në vend, që sipas ligjit duhet të ikin nga duart e shtetit drejt atyre të privatit, me një proces si ky që sapo përfundoi në Shkodër. /Shënim i ShkodraWeb/