Pritja mori fund, drejtuesit u përzgjodhën- tani presim ringritjen e shpejtë të Vllaznisë aty ku e meriton të jetë!

Loading...

Pritja e opinionit futbolldashës por edhe e vetë Klubit, ka marrë fund. Vllaznia plotëson “kupolën” e lartë drejtuese të sezonit. Suad Licit si administrator ligjor i janë bashkuar nga dita e sotme Engin Firat si drejtor sportiv dhe Hasan Lika si trajner.

Ka qenë një proces relativisht i gjatë, i cili nisi me 25 korrik dhe sot pas rreth 3 javësh përfundoi. Në listën e kandidatëve ishin emra mjaft të denjë për të dy postet, individë që konkurruan me CV dhe me projekte nga brenda e jashtë Shqpërisë. Sigurisht, meritojnë falenderimet më të sinqerta sepse u afruan për të kontribuar tek Vllaznia jo në momentin më të mirë të saj, për të mos thënë në një nga më të vështirët.

Që në nisje të procesit ishte e qartë se Vllaznia do të kishte mundësi të përzgjidhte vetëm dy emra: Drejtor Sportiv dhe Trajner. Besoj se nuk ka qenë e lehtë të arrihej deri në ditën e sotme, në një qytet që futbollin e konsideron shumë të rëndësishëm.

Dilema më e madhe e kësaj përzgjedhje besoj se duhet të ketë qenë: drejtues shkodranë apo nga jashtë Shkodre? Kjo, sepse përgjatë viteve të administrimit të Vllaznisë nga Bashkia, jo rrallëherë trajnerët shkodranë nuk janë parë si shumë pozitivë. Shkak ndërhyrjet nga jashtë deri edhe në ndërtimin e formacionit. Të paktën kështu kanë deklaruar disa trajnerë që kanë qenë në krye të ekipit.

Duke ardhur tek Drejtori Sportiv, sivjet kemi të bëjmë me një risi absolute. Numri 1 Klubit sa i takon pjesës teknike- sportive, është një emër i rëndësishëm nga Turqia. Engin Firat, bazuar në CV- në e tij të shpërndarë nga Klubi shkodran, është zgjedhja e duhur. Natyrisht, duhet parë përshtatshmëria e tij me drejtuesit e tjerë, të cilët nga sot duhet të veprojnë si një person i vetëm për të patur suksesin që meritojmë si Vllazni.

Pavarësisht se në Kategorinë e Parë, emërimi i dy drejtuesve tekniko- sportivë si Firat & Lika tregojnë se Vllaznia do të ketë mentalitetin e Superligës, ringjitja në të cilën është një imperativ i padiskutueshëm. Tani pritet vjimësia e punës në Klub, duke nisur nga formimi i ekipit, blerjet e mundshme apo edhe strategjia e sezonit. Mendojmë se kjo tanimë është thjeshtë çështje ditësh për tu mësuar.

Si çdo përzgjedhje, edhe kjo e bërë nga Vllaznia sot, do të lërë pas qejfmbetje deri në pakënaqësi. Çdokush e mendon veten të aftë, pse jo edhe fitues, kur bëhet pjesë e një gare dhe ka plotësuar disa kritere të vendosura në nisje. Sidomos në Shkodër, një tokë që prodhon talente si në fushë ashtu edhe për pankinë. Kur bëhet një zgjedhje, mbahen edhe përgjegjësitë. Ato sot janë të Këshillit Mbikqyrës, Administratorit e Këshillit Bashkiak si Asamble e KF Vllaznia sh.a. Një gjë është e sigurtë: Askujt nuk i lejohet të gabojë! Jo më! /Shënim i ShkodraWeb/

Loading...