Bashkia Shkodër është më e prekura dhe e më e dëmtuara nga fenomeni i përmbytjeve. Vetëm në dy përmbytjet e viteve të fundit, 2018 dhe 2021, vlera e demit të shkaktuar ka qenë e konsiderueshme, respektivisht 301 milion lekë dhe 1 miliardë lekë. Fenomeni i përmbytjes vijon të mbetet kërcënim kryesor për komunitetin dhe menaxhimi I këtij rreziku është shumë i rëndësishëm.
Në këtë kuadër, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me GIZ po përgatit “Planin e Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet për zonën e Shkodrës” ku përfshihet Bashkia Shkodër (Njësia Administrative Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Rrethinat dhe Velipojë) dhe Bashkia Vau i Dejës (Njësia Administrative Bushat).
Plani, i cili u prezantua ditën e sotme, ndër të tjera parashikon hartimin e një katalogu masash ndërhyrëse ku përfshihen masa që kanë të bëjnë me mirëmbajtje dhe infrastrukturë (përmirësimi i sistemit të kanaleve kulluese, vaditëse dhe argjinaturave), informim dhe përfshirje e publikut dhe masa planifikuese për hartimin e dokumenteve zhvillimore.
Ky do të jetë plani i parë me të gjitha parametrat sipas kërkesave të Direktivës të BE-së për Përmbytjet, i vlefshëm për periudhën 2022-2028 dhe do të shërbejë si model për hartimin e planeve për basenet e tjera.