
Mesazhi i Edi Rmës: Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale! Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim. Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!.
Pak orë pasi kishte nisur procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 11 maj 2025, disa kandidatë të listave të hapura dolën publikisht duke aluduar për parregullsi në këtë proces, me dëme për ta personalisht. Kandidatët i përkisnin shumë forcave politike por mbase ranë më shumë në sy ata të PS- së dhe PD- së.
Nga paralajmërimet në media, shumë prej tyre avancuan duke depozituar kërkesa zyrtare për marrjen e videove të numërimit të votave në qarqet ku ata garonin. Nga Shkodra e më poshtë, ishin të shumtë kandidatët që bënë kërkesa, duke rrezikuar që përmes videove, të gjenin indicie që mund të vinin në dyshim të gjithë procesin e numërimit, i cili tashmë është drejt fundit.
Kandidatët përgjithësisht, kishin dhe kanë akoma dyshime për votën preferenciale, e cila me gjasë, më shumë se nga rivalët politikë, kanë dyshime se është cënuar nga brenda familjes politike, në favor të kandidatëve të tjerë të së njëjtës ngjyrë. Dyshimet variojnë që nga numërmi i votës për subjektet politike, ku hamendësohet se në kutitë e tyre, të cilat sipas kodit zgjedhor nuk mund të hapen më, janë varrosur edhe vota nominale të tyre.
Po ashtu, dyshimet shtrihen edhe tek procesi i numërimit të votave preferenciale, pra të numërimit të dytë. Nga lodhja apo aty ku kandidatët nuk kishin vëzhgues apo nuk ishin vigjilentë, votat e një kandidati, i janë numëruar një tjetri. Në të dy rastet, rrezikohet që i gjithë procesi i numërimit të baltoset, gjithmonë nëse videot e zotëruara nga KQZ, do ti jepen ankimuesve. Vështirë që KQZ në të gjitha hallkat e saj, të ri- numërojë vota por vihet në dyshim procesi.
Në këto kushte, duket se kanë nisur edhe reagimet e para nga nivele të larta politike në PS dhe në PD. Burime të ndryshme, bëjnë me dije se si Rama, ashtu edhe Berisha, kanë kërkuar që procesi i ankimimit të numërimit të votave të ndalet. Rama për arsye të kuptueshme ka këtë qasje, ndërsa Berishës rrezikon ti bjerë kauza e manipulimit nëse rezulton se numëruesit e PD- së kanë mbyllur sytë dhe kanë firmosur duke dëmtuar një kandidat apo tjetër në familjen politike të njëjtë.
Me gjasë, të vetmit që rrezikojnë realisht, madje edhe burg, janë numëruesit, nëse rezultojnë të verteta pretendimet e kandidatëve që kanë ankimuar. Me gjasë, nëse nuk i kanë tërhequr ankimimet, do ta bëjnë. Ata pak që mbeten, edhe nëse do të gjejnë indicie, me shumë mundësi do të heshtin. Sepse “interesi i partisë” është i pari. Nuk përjashtohet që “ankimimin e numërimit”, ta marrin përsipër partitë e tjera dhe kandidatët e tyre. Nuk është çudi që edhe ato të jenë dëmtuar jo pak nga procesi.