NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

“Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal”, Albin Kurti reagon pas ftesës nga Hashim Thaçi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka kërkuar nga VV’ja emrin e mandatarit të ri për të formuar qeverinë pas votimit të mocionit me 25 mars.


Thaci, ashtu sic edhe e paralajmëroi në emisionin Pressing të mërkurën, kërkoi nga VV emrin e mandatarit pasi që ajo është partia fituese e zgjedhjeve, duke respektuar kështu Kushtetutën dhe rolin e tij si president. Por Kurti pretendon se presidenti po anashkalon një nen në Kushtetutë rreth situatës pas votimit të mocionit.

‘’Ajo që ishte e nevojshme por nuk u bë, përbën shkelje. Presidenti ka vendosur të anashkalojë nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili i referohet situatës pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Presidenti po sillet thua se Qeveria varet nga Kuvendi por ky s’varet nga populli, thua se zgjedhjet demokratike janë mjet por jo edhe vlerë’’, ka shkruar Kurti në Facebook.

‘’Ajo që ishte e panevojshme por u bë, po ashtu përbën shkelje. Presidenti takoi gjitha partitë parlamentare politike, dhe, më pas kërkoi nga subjekti ynë fitues i zgjedhjeve të propozojë kandidatin për Kryeministër. Pra, Presidenti nuk është neutral, ai ka interes politik dhe synim personal, gjersa duhej t’ishte i paanshëm e procedural. Disi don të besojë se 25 marsi 2020 ka ndodhur pa 3 shkurtin 2020!’’, shton ai duke thënë se presidenti nuk po tregohet neutral, ashtu si e përcakton rolin e tij institucional Kushtetuta e vendit.

Gjithsesi Kurti shton se do t’i përgjigjen presidentit në një moment të përshtatshëm.

‘’Sidoqoftë, ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi.’’, përfundoi Kurti. /Express/