Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ka akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, ish- mundësit dhe trajnerit Eljaz Ahmeti Dini. Ceremonia e rastit është zhvilluar në Presidencë ditën e sotme, në prani të familjarëve dhe kolegëve e ish- kolegëve të Dinit. Ka qenë vetë Presidenti Meta ai që ka dorëzuar dekoratën e lartë, e cila vjen pak javë para ditëlindjes së 85- të të mjeshtrit të mundjes shqiptare.
Si sportist, Eljaz Dini, i lindur në Aliaj të M. Madhe dhe banues në Shkodër, është shpallur 5 herë kampion i vendit me ekipin e Partizanit në vitet 1963, 1964, 1965, 1967 dhe 1968. Po kaq i suksesshëm, madje dhe më shumë, ai ka qenë edhe si trajner. Karrierën e trajnimit e ka nisur me të rinjtë e Partizanit në vitet 1969-1972.
Dini ka drejtuar ekipin e të rriturve të Vllaznisë në vitet 1973-1989, pra për 17 vjet me rradhë. Gjatë këtyre viteve Vllaznia ka dominuar në mundjen e lirë në Shqipëri sepse ka fituar 6 tituj kampionë, ka fituar 7 Kupa të Republikës dhe po ashtu Vllaznia ka fituar edhe medaljet e arta në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1984. Nga duart e tij kanë dalë 42 mundës kampionë nga ekipi i Vllaznisë
Eljaz Dini është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës” në vitin 2012, “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe në vitin 2019, “Misionar i Paqes” ndërsa në kuadrin e festimeve të 100- vjetorit të SK Vllaznia, është vlerësuar si “Trajner i shekullit”. ShkodraWeb e uron mjeshtrin Eljaz Dini për dekoratën e lartë dhe i uron jetë të gjatë e të shëndetshme.