Largimi nga FSHF i Kristian Panuçit nga posti i trajnerit të Kombëtares shqiptare, ka bërë që për pasuesin e tij të dalin në skenë një sërë emrash dhe alternativash. Së fundmi, ishkapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi është shfaqur si një prej alternativave që mund të pasojnë italianin në pankinën e kuqezinjve. Mirëpo, burime të besueshme për “Panorama Sport”, kanë bërë me dije se 73-vjeçari Edi Reja, ka arritur një akord paraprak për të marrë drejtimin e Shqipërisë.
Deri në momentin e prezantimit apo njoftimit të fundit zyrtar nga FSHF se cili do të jetë trajneri i ri i Kombëtares, ekziston mundësia që vendi të jetë vakant, por “Panorama Sport” ka mësuar se trajneri i ri i Kombëtares është piketuar. Nga burime të besueshme të njerëzve që kanë informacione të sakta rreth çështjes, gazeta ka mësuar se trajneri italian, Edi Reja, ka arritur një akord verbal për të marrë drejtimin e Kombëtares.
Pavarësisht se gjithçka ka ndodhur në “shtëpinë e Skënderbeut”, ku edhe ka qëndruar ekipi kombëtar i grumbulluar, pikënisja ka qenë nga prania e Rejas në stadiumin “Loro Boriçi” në ndeshjen me Turqinë. Jo vetëm kaq, por të njëjtat burime kanë bërë me dije për gazetën se gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur një tjetër bisedë të presidentit Duka me trajnerin për të diskutuar edhe detaje të marrëveshjes, çështjeve që kanë të bëjnë me drejtimin e Kombëtares dhe shumëçka tjetër.