PRECEDENTI/ Ja pse deputetët e rinj rrezikojnë mandatin…

Situata politike në Shqipëri ka hyrë në një rreth vicioz, ku pak kush arrin ta përcaktojë se si do të shkojë fati i deputetëve të rinj apo edhe atyre që hoqën dorë prej mandatit, ndërsa vijojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore.

Gjykata Kushtetuese rreth 25 vite më parë ka vlerësuar se një deputet, i cili ka zgjedhur të largohet nga partia nuk mund të marrë më mandatin, kjo me pretendimi se elektorati ka votuar për logon e partisë dhe jo për emrin konkret të deputetit.

Ky rast është materializuar në vendimin nr.2, datë 08.02.1993, ku është marrë në shqyrtim në seancë gjyqësore çështja me kërkesën: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALISTE; ARBEN DEMETI, PREÇ ZOGAJ, SHAHIN KADARE, me objekt: “Anullimin e Vendimit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë,datë 27.08.1992”, me të cilin janë shpallur deputetë tre persona të tjerë që vijnë pas tyre në listën shumëemërore të Partisë Demokratike.

Të tre emrat e mësipërm si; Preç Zogaj, Shahin Kadare dhe Arben Demeti kërkuan në formë të prerë që mos t ë zëvendësoheshin nga emra pasardhës në listat shumë emërore . Ata njëzëri poihuan që të anulohet Vendimi i Kuvendit Popullor o datës 27.08.1992, ndërsa çështjen e Zogajt dhe të Demetit e ka mbrojtur avokati i njohur Spartak Ngjela, i cili vijon të jetë aktiv në zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Vendimi i plotë:

Vendimi nr.2, datë 08.02.199 (V – 2/93)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga: Rustem Gjata, Kryetar, Feti Gjilani, zv/kryetar dhe gjyqtarët Manol Konomi, Hilmi Dakli, Franc Jakova, Veli Budo, Ylvi Myrtja, Thimjo Kondi, Natasha Sheshi – relatore e çështjes,

(…)

në datat 25.01.1993 dhe 08.02.1993, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuesa: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALISTE; ARBEN DEMETI, PREÇ ZOGAJ, SHAHIN KADARE, me objekt: “Anullimin e Vendimit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë,datë 27.08.1992”.

(…)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi:

“Rrëzimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të kërkuesave Arben Demeti, Preç Zogaj e Shahin Kadare”.

(…)

Duke arsyetuar:

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe kandidatët e mundshëm për deputetë të listës shumëemërore të Partisë Demokratike Arben Demeti, Preç Zogaj e Shahin Kadare, kanë kërkuar nga kjo Gjykatë anullimin e Vendimit të Kuvendit Popullor datë 27.08.1992, me të cilin janë shpallur deputetë tre persona të tjerë që vijnë pas tyre në listën shumëemërore të Partisë Demokratike.

Në kërkesat e tyre ata pretendojnë se Vendimi i Kuvendit Popullor është në kundërshtim me rendin kushtetues dhe me ligjin nr.7556, datë 04.02.1992 “Për zgjedhjet e kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë”, duke parashtruar:

a) Përjashtimi i tyre më 13.08.1992 nga Partia Demokratike nuk është shkak për mosshpalljen e tyre si deputetë me rastin e krijimit të vendeve vakante në Kuvendin Popullor;

b) Listat e paraqitura dhe të depozituara nga subjektet elektorale, sipas kërkesës së ligjit mbi zgjedhjet, janë dokumente ligjore, në të cilat këto subjekte nuk mund të bëjnë ndryshime pas përfundimit të zgjedhjeve;

c) Populli në zgjedhjet e 22 marsit 1992 ka votuar jo vetëm për programin e partive politike dhe për kandidatët e shpallur në zonat elektorale, por edhe për njerëzit e listave shumëemërore të paraqitura nga këto parti;

d) Kapërcimi i radhës në listë mund të bëhet vetëm në qoftë se personi i regjistruar në listë deklaron se nuk pranon shpalljen e tij si deputet.

Përmbajtja e dispozitave ligjore, që pretendohet prej tyre se janë shkelur me Vendimin e Kuvendit Popullor datë 27.08.1992, është si vijon:

Neni 11, paragrafi i dytë: “Përcaktimi i fituesve nga lista shumëemërore bëhet sipas renditjes së tyre në listë”;

Neni 15, paragrafi i dytë: “Lista me nënshkrimin dhe vulën përkatëse të subjektit elektoral paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se 20 ditë para ditës së votimit”;

Neni 81, paragrafi i dytë: “Kur një deputet merr përsipër një detyrë tjetër që nuk pajtohet memandatin e tij, ai zëvëndësohet nga kandidati i radhës në listën përkatëse në shkallë vendi”.

Eshtë jashtë çdo dyshimi se një nga kushtet e domosdoshme për të qenë kandidat i mundshëm në listën elektorale të çdo subjekti elektoral është qënia e tij anëtar i këtij subjekti ose pranimi nga ana etij të programit të partisë politike që e ka vënë në listën e vet.

Eshtë e vërtetë se ligji mbi zgjedhjet e Kuvendit Popullor nuk e përmend këtë kusht, sepse ky ligj nuk mund të vinte rregulla se si duhet të ndërtohen listat shumëemërore, të përcaktonte kriteret që duhet të ndiqen për të përfshirë një person në këto lista, pse ata janë në kategorinë që rregullojnë raportet midis një partie dhe kandidatëve të saj. Ligji mbi zgjedhjet ve rregulla juridike mbi zhvillimin e zgjedhjeve, mbi sistemin elektoral, mazhoritar ose proporcional, ose mazhoritar të përzier me atë proporcional, mbi paraqitjen e kandidatëve në zonat elektorale përkatëse, mbi mënyrën e votimit, mbi shpalljen e përfundimit të zgjedhjeve, etj.

Kandidatët e mundshëm për deputetë pranojnë, dhe kjo është e drejtë, se listat shumëemërore mund të ndryshohen kur një person deklaron se nuk pranon të jetë deputet. Ky afirmim nuk gjen mbështetje në një normë të shprehur të ligjit, por del si një konkluzion i një logjike të thjeshtë : një person nuk mund të detyrohet kundër vullnetit të tij të jetë deputet i një partie për disa arsye ose për arsyen e vetme se nuk pranon programin e saj.

Përjashtimi në ligj nuk mund të bëhet vetëm për një rast të vetëm, por për të gjitha rastet analoge, kur konkurrojnë të njëjtat arsye. Një parti nuk mund të detyrohet të mbajë në listat e veta si kandidatë të saj një person që vihet në opozitë me programin e saj. Largimi ose nxjerrja nga radhët e partisë presupozon edhe mundësinë e ndryshimeve në listën, kapërcimin në renditjen e saj.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së nenit 15 paragrafi i dytë të ligjit “Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë”, nuk del, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, se subjektet elektorale nuk kanë të drejtën të bëjnë ndryshime në listat shumëemërore pas përfundimit të zgjedhjeve. Sipas kësaj dispozite subjektet elektorale detyrohen të paraqesin listat shumëemërore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se 20 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kjo kërkesë e ligjit lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e zbatimit të rregullave që parashikojnë nenet 11 e 81 të ligjit.

Një interpretim thjeshtë formal juridik i të dy paragrafeve si të nenit 11 ashtu dhe të nenit 81 mund të shpjerë në konkluzionin se subjekteve elektorale u është hequr çdo mundësi ndryshimi në listat elektorale pas paraqitjes dhe pas përfundimit të zgjedhjeve. Këto dy dispozita, përkundrazi, duhet t’i shtrohen një shqyrtimi racional. Ato kanë për qëllim dhe janë vënë si rregulla që duhet të zbatohen nga Kuvendi Popullor kur paraqitet rasti i shpalljes si deputet të një kandidati të mundshëm, pas shpërndarjes së vendeve shtesë kompemsues në varësi me numrin e votave të fituara nga çdo parti politike pas raundit të parë dhe të numrit të vendeve të fituara sipas zonave pas raundit të parë dhe të dytë, ose kur paraqitet rasti që një deputet merr përsipër një detyrë që nuk pajtohet me mandatin e deputetit (neni 81).

Kuvendi Popullor është i detyruar të ndjekë renditjen ashtu si është caktuar në çdo listë dhe jo të bëjë kapërcime sipas çmuarjes së tij, se përndryshe do të vepronte në kundërshtim me vullnetin dhe qëllimin e subjektit që e ka paraqitur atë. Eshtë e kuptueshme se një parti politike kur përgatit listën e vet dhe bën renditjen e personave që përfshihen në të, ka parasysh jo vetëm qenien e tyre si anëtarë të partisë ose pranimin prej tyre të programit të saj, por edhe konsiderata të tjera. Në këto kushte është e qartë dhe evidente se nenet 11 e 81 të ligjit venë rregulla të cilave duhet t’u përmbahet organi ligjvënës kur vendos shpalljen e një kandidati të listës shumëemërore si deputet.

Në zgjedhjet që zhvillohen në bazë të zonave elektorale ku zbatohet në 2/3 sistemi mazhoritar njëemëror dhe vetëm në 1/3 ai proporcional, zgjedhësit e zonës votojnë në radhë të parë për kandidatin e zonës, votojnë, natyrisht, edhe për partinë të cilës i përket kandidati, por jo për njerëzit që figurojnë në listat shumëemërore si kandidatë të mundshëm. Kjo vërtetohet edhe me faktin se ligji nuk kërkon të shpallen listat shumëemërore që partitë janë të detyruara të paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh sa u parashtrua më lart, Gjykata arrin në konkluzion se Vendimi i Kuvendit Popullor datë 27.08.1992, nuk përbën shkelje të rendit kushtetues dhe nuk është marrë në kundërshtim me Ligjin Nr.7556, datë 04.02.1992 “Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë”.

(…)

Votuan kundër këtij vendimi Veli Budo, Thimjo Kondi, Natasha Sheshi, Ylvi Myrtja

(…)

Loading...

Postimet e fundit nga ShkodraWeb

“Gati të iki nga politika…”, Monika Kryemadhi sfidon hapur Edi Ramën: Nëse ai arrin të…

Si...

Prokuroria e mori të pandehur, reagon Salianji: Nuk shqetësohem fare, më ka denoncuar një person…

Ish-deputeti...

“Gazetë më gazetë e tv më tv për të pastruar baltën që lidershipi qorr i opozitës, i hodhi Shqipërisë”

Kryeministri...

Close