Vllaznia rikthehet pas 30 vjetësh në Dibër. Skuadra shkodrane ka qenë për herë të fundit në Peshkopi më 6 shkurtin e 1998-ës në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Një takim që në Dibër e kujtojnë shumë mirë dhe duket se do të mbetet kujtim i paharruar. Një nga ato sfida të luftuara deri në sekondën e fundit, madje me pasoja të rënda për dibranët. Shpëtim Toska ishte një prej talenteve më të mëdha që ka prodhuar Dibra, i cili theu këmbën pikërisht në sfidën e luajtur ndaj Vllaznisë duke hequr dorë përfundimisht nga futbolli.
Një stadium i tejmbushur dhe atmosferë e zjarrtë në prag të ndeshjes së 6 shkurtit të 1988-ës. Vllaznia do të luante në Dibër ndaj Korabit, një ndeshje e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Gjatë sfidës, lojtari i Vllaznisë, Hysen Dedja, ndërhyn shumë ashpër ndaj Shpëtim Toskës duke i thyer këmbën. Talenti dibran pa t’i “rrotullohej toka” mbi kokë, ndërsa më pas ishte e pamundur që të vazhdonte më që të luante futboll. Lojtari që u thirr edhe nga Kombëtarja shqiptare u tërhoq përfundimisht nga fusha e blertë pas asaj sfide. Korabi udhëhiqte me rezultatin 2-1 dhe ishte shumë pranë fitores historike, por në fund barazojnë miqtë me anë të Zmijanit. Ajo ishte hera e fundit që Vllaznia luante në Dibër.
Pas 30 vjetësh, skuadra kuqeblu do të rikthehet në Peshkopi. Ndryshe nga ai takim, Vllaznia do të luajë për kampionat sfidën e radhës ndaj dibranëve. Gjatë viteve të fundit, mbështetja për skuadrën e Korabit ka qenë maksimale, ku minimalisht 2-3 mijë veta janë të pranishëm në stadium në çdo sfidë. Administratori i Korabit, Fehmi Mëziu, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, shprehet: “Interesimi për Korabin është rritur ndjeshëm.
Presim që të jenë rreth 4 mijë tifozë në stadium për të ndjekur sfidën e nesërme(sot). Është si një festë, pasi Korabi nuk luan gjithmonë ndaj Vllaznisë. Hyrja do të jetë e lirë dhe presim që të krijohet një atmosferë spektakolare. Për sa i përket ekipit, kemi pasur dy javë kohë që të përgatiteshim dhe besoj se i kemi të gjitha mundësitë që të fitojmë”, u shpreh administratori i Korabit, Mëziu në prononcimin e tij për gazetën. Ndërkaq, skuadra udhëtoi që dje drejt Peshkopisë ku është akomoduar për të qenë gati për sfidën e sotme që do të luhet në orën 14:00. /Burimi:Panorama/