Policia e Shtetit ka sekuestruar prona me vlerë rreth 3 milionë euro, të cilat dyshohet se janë siguruar nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, i cili është dënuar në Itali. Pronat rezultojnë në pronësi të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër. I njohur në itali si ish- pronar i klubit të futbollir “Darfo Calcio”, Sallaku u dëbua nga Italia në mars 2021 për tu ripranuar pas vendimit të një Gjykate të Breshias më pak se një muaj më vonë, për ti qendruar pranë djalit të tij minoren që jetonte në vendin fqinj.
“Pas një pune të mirëfilltë hetimore të kryer nga Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë i mundur finalizimi i hetimeve 3-vjeçare në ngarkim të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore.
Si rezultat i hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e shtetasve Gëzim Sallaku, S. S. dhe R. K., banues në Durrës, prona të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve S. S. dhe R. K.”, tha policia.
Konkretisht pronat e sekuestruara janë:
– Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;
– 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;
13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”.
Policia tha se po vijon puna nga Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.
Shtetasi Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008.
Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të shtetasve të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Materialet për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.