Kanë vijuar edhe ditën e sotme kërkimet e Policisë së Shkodrës për tre të rinjtë e zhdukur në mënyrë misterioze në Malësinë e Madhe. Është dita e dytë e kërkimeve intensive, pasi pasditën e të dielës familjarë të të rinjve denoncuan në polici zhdukjen e tyre.
Dhjetra forca policie janë në territor, por deri tani nuk ka rezultate. Nga ana tjetër nuk ka informacione për persona të shoqëruar si të dyshuar apo që kanë dijeni për ngjarjen e rëndë. Vilson Çutaj 37 vjeç, Klement dhe Danjel Pepaj përkatësisht 21 dhe 25 vjeç janë zhdukur 72 orë më parë. Terreni i thyer malor por edhe moti i paqëndrueshëm i ditëve të fundit, nuk favorizon kërkimet që po kryhen.
Pistat jo zyrtare, janë ajo për “motive të dobëta” që lidhen edhe me një femër si dhe ajo e përfshirjes në fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike, pistë e mbështetur edhe nga gazetari investigativ Artan Hoxha. Gjithsesi, familjarët dhe të afërmit janë në ankth, ndërsa zyrtarisht është rasti i dytë i zhdukjes miosterioze të personave në Shkodër në vitet e fundit. /ShkodraWeb Media/