
Në mënyrë paradoksale edhe Gjergj Millosh Nikolla, i njohur më shumë si Migjeni, është paragjykuar politikisht. Deri para pesë viteve, thuasje ka qenë “non grata” në qytetin e tij të lindjes. I cilësuar me shumë epitete, por më së shumti si “urugan i letërsisë shqipe”, në Shkodër përcaktimet me sfond politik nisnin nga “atesit” deri në “komunist”. Por që të gjithë kanë rënë dakort se “poeti i mjerimit”, për 27 vitet e shkrurtra të jetës së tij, ka lënë pas një krijimtari letrare për tu patur zili.
Ishte teatri i Shkodrës, ai që me krenari mban emrin e tij, që i pari “theu akullin” para rreth katër viteve. Statuja e Migjenit mori pamjen që duhet dhe një ndërhyrje, edhe pse jo e plotë e sipas gjasave edhe për arsye elektorale (viti 2015), ndikoi në përmirësimin e imazhit të këtij institucioni. Teatri mban emrin e Migjenit, i cili sot ka 109 vjetorin e lindjes e vetë institucioni elitar i artit e i kulturës, sivjet feston 71 vjetorin, ndërsa si zhanër artistik, ka më shumë se 140 vjet që ka ardhur në Shkodër.
Një vit më parë, 24 orë më parë para përvjetorit të lindjes, një pllakatë përkujtimore do ti tregojë brezave të rinj por edhe turistëve shtëpinë ku banoi Migjeni, diku pranë Kishës Françeskane. Në fakt, është një rivendosje në murin e jashtëm të kësaj banese, ku një pllakatë ka ekzistuar para 1990-ës dhe ku është xhiruar edhe një flm autobiografik për Millosh Gjergj Nikollën. Zbulimi i pllakatës u parapri nga recitime të aktorëve Agron Dizdari dhe Merita Smaja. Po a mjafton kaq për të kujtuar Migjenin në një përvjetor lindjeje, edhe pse nuk është i 110-i për shembull?!
Mbase në kuadër të festimeve të 70 vjetorit të teatrit “Migjeni”, vjet ishte planifikuar diçka edhe për atë që i fali emrin e tij. Do të ishte jo vetëm një nderim për “uruganin e letërsisë shqipe”, por edhe surprizë e bukur për ata që e vlerësojnë si shkrimtar e ata që e anatemojnë akoma si “komunist”. Edhe pse jeta e tij e sulmuar dhe shkurtuar nga sëmundjet, më shumë se nën ndikimin politik, ishte nën ndikimin e realitetit. Më saktë, të asaj që trazonte më shumë shpirtin e Millosh Gjergj Nikollës: Mjerimi dhe fenomenet negative sociale! A mund të quhet ky këndvështrim një “mëkat” i Migjenit…?! /ShkodraWeb Media/