“Po godet median e lirë, do denoncoj aktet e patolerueshme…”, Kryemadhi në Bruksel: Për të kërkuar ndihmë nga KE dhe PE…

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar se ndodhet në Bruksel dhe do të zhvillojë takime me eurodeputetët për të kërkuar ndihmë për Shqipërinë. Kryemadhi në mesazhin e saj ka thënë se do denoncojë dhe sulmet e patolerueshme që sipas saj po ndërmerr qeveria Rama ndaj lirisë së medias dhe shoqërisë civile. Në mesazhin e saj, Kryetarja e LSI-së thekson se gjatë këtyre ditëve pushteti autokratik ka goditur disa nga mediat e pavarura, gjë që sipas saj tregon se qeveria e “urren lirinë”.

“Shqipëria po kalon ditët e saj më të trishta, jo vetëm nga pasojat e tmerrshme të tërmetit, që shkaktoi humbje jetësh njerëzore dhe dëme të mëdha materiale, por edhe nga sulmi i paskrupullt i qeverisë ndaj medias së lirë dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Sot ndodhem në Bruksel për të zhvilluar një seri takimesh me eurodeputetë nga vende të ndryshme të BE. Në këto takime do të apeloj tek bashkëbiseduesit për ndihmë nga vendet e tyre dhe do i kërkoj të mbështesin çdo nisëm të KE apo PE për të ndihmuar Shqipërinë në këto kohë të vështira. Gjithashtu do denoncoj me forcë aktet e patolerueshme diktatoriale mbi lirinë e medias.

Sulmet e drejtpërdrejta apo të tërthorta ndaj mediave të pakapura, të lira dhe kurajoze, që po denoncojnë me forcën e faktit regjimin autokrat të Edi Ramës, janë kthyer në një ofensivë të vërtetë kundër demokracisë dhe lirisë së medias! Gjatë këtyre ditëve pushteti autokrat goditi mediat e pavarura si JOQ Albania, Dosja, faqen satirike dhe informative “Brryli Broadëay” apo arrestimin dhe tentativën për arrestim të aktivisteve të shoqërisë civile si Xhulia Aliaj dhe Adriana Kalaja tregojnë qartë, që kjo qeveri e urren lirinë!

Paketa “Antishpifje” e propozuar, nga Kryeministri, shpifësi më i madh që njeh historia politike e këtyre 30 viteve, do të jetë pjesë e denoncimit tim me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian. Në asnjë çast nuk duhet të ndalim luftën në mbrojtjen e demokracisë, e lirisë së mediave dhe të të drejtave të njeriut.

Çdo arsye sa do madhore të duket në pamje të parë nga interpretimet malinje të pushtetit të frikësuar është shumë më e vogël se dorëzimi “vullnetar” tek pushteti autokrat i të drejtave të fituara. Njëri nga etërit themelues të shtetit dhe demokracisë amerikane, Benjamin Franklin ka thënë: Ata, që janë të gatshëm të japin lirinë e tyre, në këmbim të premtimit se do të kenë më shumë siguri, nuk meritojnë as njërën as tjetrën”, shkruan Kryemadhi.