Ndërsa nuk ka akoma një informacion më të detajuar nga Policia e Shkodrës, përmes burimeve jo zyrtare ka nisur të rindërtohet ngjarja e rëndë ku humbi jetën në fshatin Palaj të Shoshit 55 vjeçari Lazër Arraj sipas sistemit të gjendjes civile por edhe si Pjetrushi nga ata që e njihnin. Mësohet se ai jetonte në qytetin e Shkodrës dhe ishte ngjitur në Palaj të Shoshit për të grumbulluar prodhimet bujqësore të pronës së tij, të cilat më pas, me makina të rastit, ti sillte në qytet.
Kanë qenë nipat e tij që jetojnë në zonën malore ata që kanë konstatuar të pajetë në rrugë të afërmin e tyre të cilët kanë dhënë alarmin duke njoftuar policinë. Nga burime jozyrtare, mësohet se 55 vjeçari është vr.arë me kallash dhe janë shtënë ndaj tij dy plumba. Nuk është e qartë akoma nëse ka qenë një apo më shumë autorë dhe kjo pritet të zbardhet zyrtarisht nga grupi hetimor që tashmë është në vendngjarje, bashkë me forca të shumta policie e FNSH-je.
Ndërkohë, në disa media dhe portale qarkullon një foto, e paraqitur si e viktimës. Në fakt, pas interesimit të ShkodraWeb pranë organeve kompetente, mësohet se fotoja nuk është e personit që ka humbur jetën.