Plagosi shokun e tij në dhomën e hotelit, shkodrani dhe i arrestuari tjetër kërkojnë lirinë…

Plagosja me pistolete e 27-vjeçarit Tauland Beqiri në 13 gusht ne Ksamil, mban prej asaj ditë në qeli 28-vjecarin Edison Vyzaj dhe 24-vjeçarin nga Sri Lanka, Makawitage Kalpa Chethiya Eishvajith Perera Ejiewrdana. Në “arrest shtëpie” pas dalje nga spitali ndodhet edhe vete i plagosuri Beqiri.

Ndërkohë të premten, në Gjykatën e Sarandës është regjistruar kërkesa e Vyzajt dhe Pereras, të cilët kërkojnë zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest ne burg” me një tjetër masë më të lehtë. Shorti për shqyrtimin e kësaj kërkese i ka rënë gjyqtarit Fatmir Ndreu, i cili duhet ta shqyrtoje brenda pak ditësh nga regjistrimi i kërkesës.


Sipas policisë arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në një dhomë hoteli në Ksamil, shtetasi Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, shtetasin Tauland Beqiri. Ndërkohë, shtetasi Makawitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje. Gjithashtu, shtetasi i plagosur Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital, ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes.

Sipas dosjes hetimore, Edison Vyzaj tregon se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte shokun e tij të ngushtë. Autori i plagosjes, Edison Vyzaj ka treguar përpara hetuesve të gjithë kronologjinë e ngjarjes se si ai ka dashur t’i heqë pistoletën nga dora Tauland Beqirajt dhe gjatë tentativës, arma është shkrepur padashje.