ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Pikat e shitjes së duhanit duhet të pajisen me një licensë të veçantë, cigaret nuk do shiten më kudo…

Së shpejti, një paketë cigare nuk do të mund ta blesh dot në çdo dyqan lagje, apo supermarket, apo lokal. Ministria e Shëndetësisë me anë të një projekligji për ndryshimin e ligjit për duhanin, kërkon që pikat e shitjes së produkteve të duhanit të pajisen me një licensë të veçantë. Qëllimi i këtij ndryshimi në ligjin “për mbrojtjen e shëndetit të nga produktet e duhanit” është kufizimi i numrit të pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend. Ndryshimet parashikojnë dhe ndalimin e shitjes së paketave me 10 cigare ose më pak.

Në nenin 8 pas paragrafit të parë të shtohen paragrafet me këtë përmbajtje:

“Prodhuesit dhe/ose importuesit e produkteve të duhanit janë të detyruara të lajmërojnë Ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, për çdo produkt të ri jo karakteristik që fut në vend, cigare elektronike apo çdo produkt që do të dalë në treg në vitet e ardhshme”.

“Pikat e shitjes së produkteve të duhanit pajisen me një licensë të veçantë , me qëllim kufizimin e numrit të pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend”. https://shendetesia.gov.al/wp-content/uploads/2019/02/Ndryshimi-i-ligjit-te-duhanit-dt-05-02-2019.doc

Në nenin 11 pas fjalisë së parë të shtohen fjaliame këtë përmbajtje: “Ndalohet shitja e paketave me 10 cigare ose më pak, si edhe e cigareve apo duhanit të dredhur, i cili, ka shije që fsheh atë origjinale si menthol, vanilje etj”.

Akualisht produktet e duhanit shiten në të gjitha supermarketet, dyqanet e vogla, dyqanet e dedikuara, bare, restorante dhe lokale nate dhe në total përllogariten rreth 20 mijë pika formale të shitjes, por pesha që zë tregtia e paligjshme shitjet në rrugë apo tregje të hapura është e konsiderueshme, ku sipas operatorëve të tregut shkon deri në 40%.

Operatorët e tregut pohojnë se kufizimi i pikave të shitjes me anë të një ligji rrezikon rritjen e informalitetit në treg, duke aplikuar çmime më të lira për shkak të mungesës së taksave dhe duke futur në treg produkte të pakontrolluara. Nga ana tjetër ky draft mund të çojë dhe në monopolizimin e tregtimit të këtij produkti përmes kushteve që mund të vendosen për marrjen e kësaj licence.

Pirja e duhanit dhe cigareve ka rënë nga 43% e popullsisë së rritur në 2008 në 35% më 2018 në meshkujt e moshës 15-49 vjeç, teksa është rritur me 1 pikë përqindje pirja e cigares tek femrat për të njëjtën periudhë, sipas një anketë të INSTAT të zhvilluar më 2018 në lidhje me faktorët e riskut që cenojnë shëndetin e popullatës.

Duhanpirësit u reduktuan me rreth 7 për qind përgjatë një dekade teksa qeveria shtrëngoi masat e kundër pirjes së duhanit, kryesisht duke mos lejuar konsumin e tij në ambientet kolektive dhe të mbyllura. Gjithashtu u rrit edhe niveli i taksimit. Rritja e akcizës për disa vite rresht ndaj cigareve, rriti çmimin tyre, duke ndikuar edhe në frenimin e konsumit.

Mirëpo siç shihet nga të dhënat zyrtare, importet e cigareve janë ulur disa herë më shumë se numri i duhanpirësve.Gjatë periudhës 2010-2017, importi i cigareve ra me 31 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ndërsa numri duhanpirësve është ulur vetëm më 7%.  /Burimi:MONITOR/

Për tu bërë pjesë e grupit "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kerkesa juaj do të shqyrtohet menjëherë. KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.