Në vitin 1972, aktori me origjinë shqiptare i mirënjohur ndërkombëtarisht për rolin e Odisesë në filmin me të njëjtin titull, Bekim Fehmiu, zhvilloi një vizitë në Shqipërinë komuniste. Me kthimin në Jugosllavi, shënimet mbi këtë vizitë ai i ruajti, për ti botuar më vonë në një libër. Me interes është kapitulli i vizitës së Fehmiut në Shkodër, ku përmes shënimeve të tij. mësojmë një fakt shumë interesant, jo shumë i publikuar deri tani. E dashura e parë e jetës së tij, ishte shkodrane. Gjatë vizitës, ai e kërkoi, por nuk arriti ta takojë. Më poshtë, kujtimet e Bekim Fehmiut për vizitën në Shqipëri e veçanërisht në Shkodër, ku nuk arriti të takojë Bukuroshen t ij.
Java e filmit shqiptar
I ftuar….. Mbahej për herë të parë “Java e filmit shqiptar” në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti. – A do të kishit ardhur tek ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kameras dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë. – Me shumë dëshirë, nëse më ftoni!
Atelie 212
Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviç- Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”. Erdhi ftesa që të jem i ftuar i “Kinostudios” .
Ditë e zymtë
Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës të projektuar në mënyrë të tillë që të mund të ndjekë rendin e fjalëve “Duçe” (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër. Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani si dhe drejtori i “Kinostudios”.
– A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit? Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri. – A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’ua plotësonim sa jeni në Shqipëri? – Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë. U stepën. – Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është? – Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete. – Mirë! Do të shohim!
Më sistemuan në hotel “Dajti” në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjëra, me shumë lule, me pemë anash… Monumenti i Gjergj Kastriotit dominon tërë qendrën. Mikpritësit kishin organizuar shfaqjen e filmit “Odiseja”. Salla e kinemasë e mbushur plot e përplot me të ftuar të përzgjedhur. Duartrokitje dhe pritje njëlloj sikur presin një njeriun e tyre. Me krenari, me gëzim, me ngrohtësi.
Filluan vizitat zyrtare
Në Lidhjen e Shkrimtarëve, krahas me të tjerët, njihem me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin… Ismail Kadareja, intelektual tipik, me syze me skelet metalik, duke dalë më thotë: – Do të doja t’ju dhuroj romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kam vetëm versionin në gjuhën frënge. – Do të më bëhej shumë qejfi – Më dhuroi bestsellerin e tij me dedikim. Vizitova Akademinë e Arteve. “Kinostudion”. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndjehet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur: “A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja…”. Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja. – Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar! – i them djaloshit kur u ndamë.
Shkodër
Qytetin nga i cili kam disa kujtime të gjalla, nuk e njoha fare. Hoteli? Një ndërtesë njëkatëshe, një shtëpi e bukur me çardak, oborr dhe bahçe. Më kujtoi shtëpinë e Shaip Pashës në Prizren. Më shpunë tek një zonjë e vjetër, e veja e Bajram Currit, e cila më priste. Shtëpia e saj mbushur me kushërinj dhe miq të ftuar. Dervishe Hanëmi, e dashur dhe e ngrohtë, qëndronte ulur në minder.
Në mur, sipër kokës së saj, fotografia e të shoqit. Iu afrova dhe i putha dorën. – Hedija, gruaja e Ibrahim Fehmiut, së bashku me fëmijët e saj ju dërgojmë përshëndetjet e tyre të përzemërta dhe mu lutën t’ju përqafoj. Fytyra e saj ndriste si shenjtëreshë. Përqafimi i saj, i butë dhe erëmirë, tamam si prej plake. Më uli afër vetes, duke më mbajtur dorën ndërmjet duarve të saj. Cili je ti? – më tha. Ai më i vogli, Bekimi, i thashë.
Më pyeti për Dijen dhe të gjithë të tjerët emër për emër. E rrëmbyen kujtimet për të shoqin, për babain tim, e në mënyrë të veçantë për Dijen dhe ato kohë të stuhishme. Fytyrat e të pranishmëve si të përskuqura. Kur u ndamë, bëmë një fotografi për kujtim. Ditë e re. Dolëm për të bërë një shëtitje nëpër Shkodër. Shkodra është e pastër si të gjitha qytetet . Duke shëtitur na afroheshin njerëz. Turma që na shoqëronte po bëhej gjithnjë e më e madhe… – Çfarë është bërë me dashurinë time të parë, Bukuroshen? – Për fat të keq nuk arritëm ta gjenim. Nuk ka në Shkodër ndonjë familje me mbiemrin Tahiri. Duke ecur, vura re dy rrathë të përkryer: njëri me perimetër më të madh dhe tjetri më i vogël brenda tij. /Përgatiti për publikim ShodraWeb, marrë nga libri me kujtime i Bekim Fehmiut me titull “Shkëlqim dhe tmerr” të botuar në Beograd ne vitin 2002 dhe të përkthyer në shqip nga shkodrani diplomat i karrierës, Xhelal Fejza/