
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar vendosi me shumicë votash (Vendimi nr. 6, datë 30.01.2025) që të pezullojë procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së, deri pas seancës dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pas kërkesës së Komisionit të Medies për t’u njohur me ligjshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani për përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikueshëm.
Në mbledhjen e datës 27 janar, komisioni ad-hoc i ngritur nga Këshilli Drejtues votoi pesë platforma të paraqitura dhe kualifikoi dy kandidatë për fazën e dëgjesës.
Javën e ardhshme në Komisionin e Medies është parashikuar të mbahet seanca dëgjimore me Këshillin Drejtues. /rtsh.al/