Pezullohet katër muaj shkodrani i Partizanit, klubi “i kuq” në telashe nga FIFA edhe për merkaton…

Lajmi për pezullimin e dy sesioneve të merkatos për Partizanin konfirmohet edhe nga vetë klubi kryeqytetas. Gazeta kërkoi një reagim në lidhje me këtë lajm, ku Partizani e ka të ndaluar të bëjë merkato këtë verë dhe në dimër, si dhe për dëmshpërblimin prej 80 mijë eurosh, plus pezullimin katërmujor të Eraldo Çinarit.

Përgjigjen për kërkesën e bërë nga “Panorama Sport” e ka dhënë sekretari i përgjithshëm i klubit, Gerald Burba, i cili pranon situatën e krijuar së fundmi dhe tregon hapat që do të ndjekin të kuqtë në vijim. Për sekretarin Burba problemi duket serioz, por jo i pazgjidhshëm për të mos cenuar normalitetin e ekipit në sezonin e ri.
Burba2

“Po, është i vërtetë si lajm dhe jemi vënë në dijeni të kësaj çështjeje. Vendimi është dhënë para dy ditësh. Problemi është serioz, por jo i pazgjidhshëm. Ne si klub po përgatisim dosjen e apelimit në KAS, ku si fillim do të kërkojmë pezullimin e efekteve të vendimit, që do të thotë zhbllokimin e merkatos me të gjitha gjasat në fillim të muajit gusht.

Ky gjyq ka kohë që vazhdon. Dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi për këtë situatë dhe sigurisht që nuk do të jetë Partizani. Në vendimin e arsyetuar të FIFA- s është shtrembëruar komplet realiteti i fakteve, si për shembull duke pretenduar se Çinari ka qenë lojtar nën kontratë me Istrën dhe Partizani është paraqitur si palë që e ka ‘rrëmbyer’ lojtarin prej tyre.

Kjo është e papranueshme dhe sigurisht e padrejtë, duke ditur që ne kemi paguar një shifër të konsiderueshme për të blerë të drejtat e kartonit të lojtarit nga Vllaznia. Ekzistojnë prova shkresore të mjaftueshme për të vërtetuar që Partizani është pala e vetme në këtë proces që nuk duhet të mbajë asnjë përgjegjësi.

Ne do të bëjmë ‘kundërsulmin’ tonë për këtë çështje dhe në fund jemi të sigurt që përgjegjësia dhe drejtësia do të shkojë aty ku duhet”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba, për “Panorama Sport”.