
Janë pezulluar punimet në stadiumin e ri ‘’Arena Kombëtare”, që po ndërtohet në Tiranë. Lajmi bëhet i ditur nga ana e inspektores së Zyrës së Punës Irena Gjoka, ndërsa shkak për këtë është bërë një aksident në punë, i cili ndodhi të shtunën.
Kujtojmë se personi që humbi jetën në punë te Arena Kombëtare ishte Naim Idrizi, 40-vjeç, që sipas policisë ka qenë duke punuar në stadium, ku dyshohet të ketë rënë nga lartësia. Ai u transportua në gjendje të rëndë shëndetësore për ndihmë mjekësore në spital, por nuk arriti t’i shpëtonte dëmtimeve të marra.
Kështu kompania Alb Star është e detyruar që të pezullojë punimet, deri në nxjerrjen e hetimeve të plota për ngjarjen, dhe nëse kushtet e punës janë të atilla që mund të sigurojnë jetën e punonjësve të tjerë.
Gjoka theksoi se verifikimet në terren për kompanitë që operojnë në fushën e ndërtimit janë të vazhdueshme, megjithatë ka ende shumë elementë që rrezikojnë jetën e punonjësve. Vetëm disa orë para ngjarjes së rëndë kryeministri i vendit Edi Rama shprehej entuziast përmes postimit të një fotoje, për ecurinë e punimeve ne stadium.